Nuk ka ditë nën Zotin që Edi Rama nuk ka hyrë në shtëpitë apo jetët e shqiptarëve nga dita që u bë kryeministër i këtij vendi. Pa hyrë në zyrën e paraardhësit të tij, Rama kritikonte Berishën për daljet e tij në media. Për vetë kohën, para vitit 2013, Berisha kishte të vetmen mundësi komunikimi me publikun, televizionet dhe gazetat tradicionale!
Qasja e Ramës ndaj publikut, ndryshe nga ajo e të gjithë homologëve në botë, është “non stop para syve”. Përveç medieve tradicionale, të cilat nxitojnë ti bëjnë lajm çdo “cicërimë” në rrjetet sociale, kryeministri sajoi ERTV-në, një televizion në sherbim të tij.
Kjo shpikje, të cilës i ka hequr logon kur shpërndan sinjal audiovideo (për “të mës rënë shumë në sy” apo si kërkesë e medieve që i rishpërndajnë sinjalin), e ka bërë Ramën një personazh të ngjashëm me ata të filmave shqiptarë para vitit 1990. Në Shkodër, tregohej si barcaletë koha kur i mirënjohuri Rikard Ljarja kishte shkëlqimin në kinematografi, me role të shpeshta e të njëpasnjëshme. “Sa vetë jeni në shtëpi”, pyet një shkodran një shokun e tij në Piacë. “Jemi unë, nana, baba, vëllai, motra dhe…Rikard Ljarja”, përgjigjet shoku i tij. E sot, prej gati shtatë vitesh, Edi Rama është i pranishëm kudo. Nga mëngjesi në darkë, në televizione kombëtare e lokale, në gazeta, revista, radio, portale dhe natyrisht, në rrjetet sociale. Është e pamundur të mos përballesh me Edi Ramën, edhe po të duash “ta censurosh”. Edhe pse sot, censura praktikisht është e pamundur.
Edi Rama futet kudo me modelin e tij. Është një model i pazakontë politikani. Nuk shqetësohet aspak, për asgjë. Nuk ka një “protokoll sjellje” sipas rasteve që i paraqiten. As me qytetarët, as me shtetarët e sipas gjasave, as me familjarët e të afërmit. Ai që mund të thotë sot, pas gati shtatë viteve, një reformë të vetme që ka nisur e bitisur me sukses në këtë vend, do të meritonte shpërblim. Sepse në fakt, nuk ka. Edhe “kryereforma”, siç e ka quajtur atë të sistemit të drejtësisë, “po i fut ujë nga të gjitha anët”. Dikujt mund ti duket “non ben trovato”, por qasja e tij me publikun është shumë e ngjashme me atë që Gëbels kuronte për nacionalsocializmin dhe Hitlerin në Gjermani e në botë. Vetëm kur nisi ti racionohej buka, gjermanët e kuptuan se ku po shkonin dhe kur ushtarët rus morën Bundestagun, e kuptuan plotësisht se përjetuan një nga diktaturat më të egra të njerëzimit.
Natyrisht, Rama por as Fuga e tij, nuk mund të jenë Gebëls. Jo nga aftësia, por nga konteksti i kohës ku jetojmë. Por ngjashmëritë, janë vërtetë të frikshme. Kamerat e mikrofonat e ndjekin ngado kryeministrin. Ngado, nga mëngjesi në darkë, brenda e jashtë Shqipërisë. Çdo gjë e tij është “lajm” për çdo lloj media. Tingëllon cinike, por në realitetin e zymtë të vendit, nuk është çudi që daljet e rradhës së kryeministrit të priten me kërshëri, si “argëtimi” i vetëm i mbetur në ketë vend të zhytur në…abis. Shan, fyen, u çirret, anatemon, bullizon ballë përballë këdo dhe nga pas, në shumicën e rasteve merr të qeshura të sforcuara, maksimumi deri në zgërdhirje.
Ditë pas dite, janë pas jave, muaj pas muaji e sot, vit pas viti, Rama i ka “edukuar” shqiptarët me këtë model, me këtë qasje. Kujtoni fushatat e 2015-ës e sidomos 2017-ën. Metafora e “timonierit”, edhe pse një moment jetik për shqiptarët, i solli jo pak vota shqiptarësh, përveç atyre që përgjimet tregojnë se i ka marrë pa pyetur askënd. E ta imagjinoni, metafora e “timonierit” shoqërohej edhe nga ajo e “shoferit pa patentë”, siç është në të vërtetë Rama. E këto tre vite, i dhanë të drejtë metaforave: Shqipëria një autobus që drejtohet nga një shofer pa patentë!
Me pushtetin e pamatë, Rama mund të kishte vënë në zbatim ndër shqiptarë “sindromën e Stokholmit”, ashtu si edhe të tjerë shtetarë “të suksesshëm” të këtij vendi, si Enver Hoxha për shembull. Por jo, Rama zgjodhi me durim që ta nxjerrë nga binarët këtë popull. Më saktë, atë pjesë të popullit që i duhet për votat e pushtetmbajtjes. Ngjan vërtetë tragjike që Rama ia ka dalë të manipulojë mediatikisht, pa barë asgjë, absolutisht asgjë, mijëra shqiptarë. Jo vetëm për ti dhënë votën, por edhe për ta pritur me ankth daljen e rradhës nesër. Për tu gajasur me batutën e rradhës, me hakërrimin e rradhës ndaj Veliajt apo ndonjë velije tjetër. Nuk gjejmë arsye të tjera, të logjikshme që ky kryeministër, jo vetëm të qendrojë akoma në zyrë i plotfuqishëm por edhe të ëndërrojë një mandat tjetër. /Shënim i ShkodraWeb Media/