Mesa duket po bëhet e rëndësishme deri në shqetësuese. Prandaj po përpiqen “t’a ndotin” politikisht. Në shumë media, edhe me mbulim kombëtar, kanë nisur të nxjerrin “fakte” të “implikimit” në protestë të “eksponentëve politikë”.
Kështu, në Shkodër janë gjetur “tradhëtarët”. Janë publikuar dy foto, të dy vajzave, të cilat po përpiqen “të politizojnë” protestën. Bëhet fjalë për një antare të FRPD-së dhe motrën e drejtuesit të FRPD-së Shkodër. Këto të dyja, do të “politizojnë” protestën!? Në fakt, është shumë e thjesht dhe “dilema frojdiane” mund të zgjidhet me një “investigim” të thjeshtë përmes një pyetjeje: Çfarë lidhje kanë këto dy vajza me universitetin “Luigj Gurakuqi”? Mos vallë janë studente? Nëse përgjigjet janë pozitive, ku qëndron përpjekja për “politizim” të protestës? Përveç jetës studentore, që natyrisht do ta bëjnë në vendlindje, pjesa dërrmuese e studentëve kanë edhe preferenca të tjera, edhe politike. Ato i shprehin me angazhim në forume apo organizata politike ose, duke votuar ditën e zgjedhjeve në rastin më pak të politizuar.
Tek i njëjti person natyrshëm bashkëjetojnë studenti dhe dëshira për angazhim politik. Ai që është mjeshtër, a mund të tregojë se si mund të ndahen? Apo të nxirret një urdhër: Ai që ka preferenca politike apo antarësi në organizata të tilla, përjashtohet nga protesta e studentëve! Por besoj se në sheshe nuk dot mbeteshin në protestë vetëm disa dhjetëra studentë. Sepse në universitetet shqiptare, prej vitesh dhe madje me krenari, kanë “bazat” e tyre forumet politike të partive kryesore në vend. Por tek studentët, për interesa më të larta se bindjen partiake, “bilbili” për ti vënë në rresht, nuk ka shans të funksionojë.
E njëjta gjë edhe për protestën e studentëve në Tiranë. Deri tani, po përpiqen “t’a marrin në kontroll” Erion Veliaj, Jozefina Topalli dhe…natyrisht PD-ja! Edhe aty janë identifikuar “arqmitë”, sipas portaleve dhe mediave të caktuara. Nxirren foto dhe thuren “çorape” planesh deri në detaje dhe skenarë të denjë për filma hollivudian.
Është e kjartë si drita e diellit se protesta është politike. Nuk ka si ndodh ndryshe, teksa përballë janë kërkesa që vetëm politika mund ti plotësojë dhe asaj i drejtohen. Në këtë rast, qeverisë së rradhës. Ajo që duhet monitoruar me kujdes është nëse studentët do ta ruajnë integritetin e tyre. Në kuptimin që të vihen në rreshtat e parë të protestës individë me poste politike ose emisarë pranë tyre. Nëse vazhdojnë të bien në vesh të shurdhër kërkesat e tyre, studentët mund të avancojnë deri në kërkesa për dorëheqje të ministres Nikolla, ndoshta edhe të kryeministrit. Jetojmë në demokraci dhe është e drejta e tyre të bëjnë kërkesa. Nëse në këtë pikë, kërkesat e studentëve përputhen me ato të opozitës së rradhës, mos do të thotë se studentët u vunë në kontrollin e politikës?!
Në protestat e Shkodrës, Tiranës dhe mbarë qyteteve të tjera ku po zhvillohen, ka studentë që vijnë nga familje të majta e të djathta. Në protesta mund të përfshihen edhe antarë të forumeve rinore të partive politike. Sepse në këtë rast, bashkohen nga interesa të njejta. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për “xhepin” e familjeve prej nga vijnë. Nuk besoj se ka familje të majta- socialiste po të doni, që janë të kënaqura të pagujanë tarifa të kripura për shkollim e fëmijëve. A do të ishte më mirë të reduktoheshin apo të bëheshin zero, falas? E njëjta gjë edhe për familjet politikisht opozitare.
Përtej përpjekjeve për “t’a privatizuar” apo “ngjyrosur” protestën, studentët anëmbanë vendit i’a kanë dalë deri tani, ta mbajnë larg politikës. Në kuptimin e shfrytëzimit të saj. Deri në momentet që të kristalizohet një lidership i saj, kjo protestë nuk rrezikon të futet “nën sqetullën” e asnjë force politike. Sepse askush nuk ka aq para sa të blejë apo korruptojë mijëra studentë shqiptarë nga Shkodra në Gjirokastër. Nëse protesta do të “prodhojë” liderët e saj, atëherë rreziku i vënien nën kontroll të saj shtohet. Dhjetori 1990 nuk është larg. Por vështirë që studentët sot të gabojnë. Asokohe kishte vetëm dy alternativa dhe studentët u ndanë… Sot, që protesta të jetë “pastërtisht” e imunizuar nga politika jonë duhet që të marrim studentë nga Mali i Zi, Maqedonia e vende të tjera fqinje. Por edhe ata duhet të jenë rigorozisht…joshqiptarë sepse përndryshe edhe ata do të kenë preferencat e tyre për politikën tonë. /Nga Blerti DELIJA/