ANALIZA – Çfarë mbetet pas përplasjes verbale dhe institucionale…?!

“Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”. Është ky përcaktimi që jep pika 1, neni 64 për numrin e antarëve të parlamentit shqiptar. Prej rreth një viti, Kuvendi aktual ka më pak se 122 deputetë, ndërsa sot që flasim dhe deri në fund të mandatit natyral në qershor 2021, numri 140 nuk mund të arrihet përmes plotësimit të vakancave. Sepse kanë dhënë dorëheqje të gjithë kandidatët për deputetë të opozitës.


Presidenti sot e konsideroi “gjysmë parlament” ndërsa në fakt, legjitimiteti i tij, nisur edhe thjeshtë nga neni i mësipërm, vihet në dyshim. Deri në momentin, kur Gjykata Kushtetuese, i vetmi organ që interpreton Kushtetutën me vendim të detyrueshëm për zbatim për të gjithë, të shprehet. Mirëpo, ky institucion aktualisht është jashtë funksionit dhe nuk dihet se kur do të ngrihet, Madje, po zhvillohet një luftë e fortë Kuvend- President për vendet vakante. Institucioni i tretë, i cili sipas Kushtetutës mund të plotësojë disa prej vakancave- Gjykata e Lartë, ka mbetur aktualisht me vetëm Dvoranin, i cili për këtë shkak është edhe kryetari “i përjetshëm” i KED-së.

Presidenti foli sot edhe për “dele deputetë”. Nuk është ndonjë gjë e re që këto 30 vite, shumë nga “sovranët” në karriket e parlamentit krahasohen me kafshën e butë shtëpiake, që përveç qumështit, herë pas here edhe e qethin për ti marrë leshin.

Por sot, ndryshe nga rastet e mëparshme, “dele deputetët” me praninë e tyre por edhe me votat që hedhin, po e shtyjnë vendin drejt një demokrature ose diktaturë me fytyrë demokratike. Ky në fakt, nuk është vetëm opinioni i presidentit.

Të zënë me hallet e përditshme, varfërinë e gjetjen e rrugëve “për të çarë ferrën” nga ky vend, jo shumëkush shqetësohet dukshëm sot për “kapjen e shtetit”. Në vende me demokraci të zhvilluara, është fenomeni më i rrzikshëm, më i dëmshëm dhe i luftuar i institucioneve.

“Bëje Zot ëndërr”, është shprehja që ne shqiptarët e përdorim shpesh, kur flasim me respekt për veten përmes personifikimit me gomarin, një tjetër kafshë e butë shtëpiake por që nuk jep as qumësht e as lesh. Madje, edhe si kafshë pune, nuk është shumë e preferuar sot. Por masivisht, emri i kësaj kafshe përdoret për të etiketuar njerëzorët jo shumë të zgjuar.

Opozita prej rreth një viti, është jashtë institucioneve. Mungesa e hapësirave dhe synimi për të mos u bërë fasadë e regjimit, siç e kanë përsëritur shpesh eksponentë të saj, kanë sjellë zgjedhjen radikale. Nga 2 marsi, edhe Presidenti i Republikës ka njoftuar daljen nga institucioni, në bulevardin më të famshëm të Shqipërisë. Ai ka njoftuar firmosjen e dekretit të parë që do ti japë goditjen e parë, grushtit të shtetit të qeverisë e mazhorancës. Sa kohë do të qendrojë presidenti në bulevard, a do të ketë vetëm një dalje apo periodike, a do ti pergjigjen qytetarët apo jo, askush nuk e di. Por ajo që dihet me shumë siguri pas këtij kumti të presidentit të vendit është se situata në këtë vend nuk është hiç e mirë.

Jemi në prag të çeljes së negociatave me BE-në apo jo, jemi komb gjeografikisht ose shpirtësisht europian, por ajo që dimë nga historia jonë e re është se mjafton një shkëndijë dhe “e merr ferra uratën”. Shpresoj të mos ndodhë kështu, uroj që edhe të mos më marrin si “nxitës”, por këto 30 vite kemi dhënë prova pa fund. Përplasja verbale dhe institucionale po konsumohet prej muajsh. Se çfarë mund të vijë pas saj, nuk është e vështirë të aludohet edhe pa qenë ndjekës i vëmendshëm i politikës.

“U bëftë siç thotë njerka dhe jo nëna”, themi ne shqiptarët në raste të tilla. Problemi është të identifikojmë se kush është kush. Të gjithë përbetohen se janë më e mira e mundshme, në këtë rast, nëna… /Nga Blerti DELIJA/