Qeveria franceze është tërhequr nga rritja e taksës së karburantit. “Jelekëverdhët”, përmes protestës jo shumë paqësore detyruan një presoident jo pak të fuqishëm edhe në arenën ndërkombëtare si Macron, të bëjë një hap pas. President me fuqi ekzekutive madje. Protesta e pandërprerë solli reflektim tek pushtetmbajtësit e rradhës në Francë dhe rezultati sjell dobi për të gjithë francezët.
Paralelisht në Tiranë, po zhvillohet një protestë, ajo e banorëve të Unazës së re. Kanë kaluar javë dhe reflektimi mungon. Nga ana e qeverisë. Protestuesit janë të vendosur ti shkojnë deri në fund mbrojtjes së banesave të tyre, të licat janë shenjestruar për tu shembur. Por njëkohësisht, një pjesë a banorëve të zonës së Unazës së re, tashmë janë dorëzuar duke lejuar shembjen e shtëpive. Kanë zgjedhur banesat sociale me qera të subvencionuar ose kreditimin në banka. Por ama, shtëpitë e tyre nuk do ti gëzojnë më.
A mund të hiqet paralele në mes dy protestave? Teorikisht po, praktikisht jo. Problemi i parë lidhet me kauzat e tyre. Në Tiranë protestojnë disa qindra familje, të cilat rrezikojnë të mbeten në mes të katër rrugëve, pa një çati mbi kokë. Në Francë, protestojnë mijëra dhe për një kauzë- fitorja e të cilës, sjell dobi për të gjithë francezët. Këta të fundit protestojnë për çmimin e karburantit, edhe pse krahasuar me të ardhurat mujore, është thuajse i papërfillshëm krahasuar me çmimin e naftës në Shqipëri dhe të ardhurat tona mujore. Megjithatë, asnjëherë nuk ka patur një angazhim për çmimin e karburanteve në vend. Arsyeja është vertetë misterioze.
Në të dy rastet, qoftë në Tiranë ashtu edhe në Francë, politika është përpjekur të qëndrojë larg. Në fakt, në Tiranë në çdo protestë ka liderë të opozitës, por që deklarojnë vetëm mbështetje, jo organizim, nxitje të protestës. Por gjithsesi, politika përzihet. Nga këtu, nis diferencimi i dy protestave, natyrshëm edhe qasja e qeverive respektive ndaj tyre. Edi Rama por edhe Erion Veliaj, e kanë klasifikuar politike çështjen, e cila në fakt është jetike për disa qindra familje. Në Francë, qytetarët kanë marrë në dorë fatet e tyre dhe rezultati u pa sot.
A mund të bëhet një krahasim në mes mentalitetit francez (europian) dhe atij shqiptar? Këto 28 vite kanë treguar diferenca të thella. Ne shqiptarët, nuk përtojmë ti përgjigjemi thirrjeve të partive që i kemi për zemër, për të mbushur sheshe. Edhe pse, për hit të realitetit, kjo ndjeshmëri nga viti në vit po bie. Në vendet europiane, protestat janë “bukë e djathë”, edhe kur standarti i jetesës rrezikohet të rrëshqasë 0,01 %. Në krye janë sindikatat, por edhe grupime të ndryshme qytetare. Politika, në çështje të lidhen me ekonominë apo “xhepat e qytetarëve”, në Europë është thuajse e padukshme.
Edi Rama është “timonier”, ndoshta ëndërron të bëhet edhe “lider rajonal”, por nuk i afrohet presidentit Macron. Diferencën e bëjnë popujt, qytetarët. Ata francezë me ata shqiptarë, në rastin konkret. 28 vite janë shumë pak që shqiptarët të fitojnë vlerat e kombeve të tjera europiane. Aq më shumë kur vijmë pas një diktature 45- vjeçare që na tjetërsoi gati edhe gjenetikisht. “Çdo popull meriton qeverisjen që ka”, është rregulli i artë i funksionimit të një shteti. Politikanët janë produkt i këtij populli, sigurisht edhe bartës të të njëjtit mentalitet. Kështu është në Francë, kështu edhe në Shqipëri. Në fakt, një mendje e nditur e kombit tonë, la një sentencë që është aktuale edhe sot, edhe pas 100 viteve nga koha kur u artikulua. “Shqipnia u ba, tash duhen ba shqiptarët”, ishte thirrja sa provokuese edhe aktuale e Fishtës. Janë vetëm pak fjalë, por që na japin përgjigje për protestën e fitoren e saj në Francë si dhe, për protestën e Tiranës që edhe sot do të vazhdojë sipas gjasave. /Shënim i ShkodraWeb/