ANALIZA – Çeshtja e kufirit detar me fqinjin jugor, a është rastësi rishfaqja në kulmin e tensionit Greqi- Turqi?!

Marrëdhëniet në mes Greqisë dhe Turqisë javët e fundit, njohin vetëm tensionim. Vetëm anëtarësia e përbashkët në NATO, mesa duket shtyn shtetet të mos e përshkallëzojnë më tej situatën. Asnjëherë nuk mund të thuhet se marrëdhëniet greko- turke ishin apo janë të shkëlqyera, por këtë herë vijnë pas një ngjarje mjaft të dskutuar në arenën ndërkombëtare: Kthimi  Shën Sofisë në një xhami funksionale në sherbim të riteve fetare të përditshme!


Askush nuk mund të gjejë një lidhje të drejtpërdrejtë në mes tyre, por ajo që mund të pohohet është se Shën Sofia për herë të fundit, ishte kishë e ritit bizantin orthodhoks, para se Kostandinopoja të emërtohej në Stambollin që njohim të gjithë sot.

Në këtë skenar faktikisht të përsëritur në marrëdhëniet në mes Turqisë dhe Shqipërisë, si element dytësor, po përfshihet edhe Shqipëri. “Rastësisht”, në këtë situatë të nderë Turqi- Greqi, rikthehet çeshtja e kufirit detar të vendit tonë me fqinjin jugor. Edhe kjo, nuk është një temë e re. Prej rreth një dekade, është diskutuar, ka patur marrëveshje, polemika politike në vend dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Si Greqia e Turqia, Shqipëria është vend antar i NATO-s. Por nga ana tjetër, Shqipëria është shumë me pranë se Turqia në anëtarësimin në BE, ku për vetë mënyrën e vendimmarrjes kolegjiale dhe me të drejtë vetoje, Greqia mund të kushtëzojë shumëçka.

Ideja e zgjerimit me 12 milje të kufirit detar të Greqisë ndaj Shqipërisë, u artikulua nga vendi helen. Interesat, si gjithmonë, nuk lidhen thjeshtë me territor detar për peshkim por më shumë me burimet e mundshme të hidrokarbureve. Kjo nuk përbën ndonjë sekret. Është artikuluar edhe herë të tjera, këtej e andej kufirit.

Mbështet Shkodraweb Media në misionin e vet! FALEMINDERIT!

Sidomos vitet e fundit, marrëdhëniet në mes Shqipërisë e Turqisë, janë në nivele jashtëzakonisht të afërta. Roli i Turqisë së Erdoganit, vazhdon të jetë në nivele të larta. “Air Albania”, kontributi për përballimin e pasojave të termetit të 26 nëntorit 2019 dhe ekstradimi i gylenistëve pas kërkesave të Ankarasë zyrtare, janë vetëm disa nga episodet që tregojnë shumë.

Edhe në Greqi, qarqet që kanë agjenda në dëm të shqiptarëve, nuk janë dekurajuar asnjëherë në misionin e tyre. Vorio- Epiri vazhdon të frymëzojë akoma fqinjin tonë jugor. Përveç tensionit tradicional me Turqinë që vazhdon të paktën që nga ndarja e Qipros në dy republika me ndikim helen dhe turk, Greqia tashmë futet në polemika për kufirin detar edhe me Shqipërinë. Kjo, edhe pse nga kjo ana jonë, po thuhet se nuk ka negociata e aq më pak marrëveshje për këtë çeshtje.

Interesant është fakti, që të dy këto skenarë, po ndërthuren në një situatë aspak të zakontë dhe të përbotshme, siç është pandemia Covid- 19.

“Ka një dorë që po nga i ngatërron gjërat…”, thuhet në një nga komeditë më të famshme shqiptare që i shkon mjaft për shtat edhe situatës aktuale në mes Turqi- Greqi- Shqipërisë. Sigurisht, nuk është aspak e lehtë të zgjidhet ky rebus. Aq më tepër kur ajo që duket në sipërfaqe, si në rastin e ajsbergut, janë më pak se 1/7 e gjësë. Greqia, Turqia dhe Shqipëria, janë pjesë e Ballkanit, pjesë e Europës që prej qindra vjetësh, vazhdon të konsiderohet “fuqi baruti”. Pyetja e vetme që mbase ka një sens të bëhet në këtë situatë është: Cilit skenar po i paraprin ajo që po konsumohet ditët e sotme në mes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë?! /Nga Blerti DELIJA/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania