ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ Braktisja e “Luigj Gurakuqit” në mes të Çezarit dhe Zotit…

Kryetemë e orëve të fundit në media është rënia e numrit të studentëve në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Nuk e dimë situatën në IAL-të e tjera shtetërore, por mbase deklaratat publike të rektorit Adem Bekteshi të Shkodrës, kanë kthyer në vëmendje “Luigj Gurakuqin”. Kaq ka mjaftuar, që transparenca mbase e tepruar e rektorit Bekteshi, të ngjallë deri sulme ndaj tij për “dështim në administrimin e universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ të Shkodrës”.

Autonomia e IAL-ve ka mundësuar që rektorët të zgjidhen nga vetë universitetet. Ligji përcakton rregullat e kandidimit, konkurrimit dhe shpalljes së rezultatit. Në bazë të tyre, Ademi dhe kolegët e tij në universitetet shtetërore, janë dekretuar nga Presidenti i Republikës për një mandat.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për problematikat e arsimit të lartë në këtë vend. Shumë syresh kanë dalë pas protestave të viti të kaluara akademik, ku studentë e pedagogë, nxorrën në dritën e diellit hallet e fshehura me kujdes përgjatë viteve. E protestat e studentëve, sollën solidaritetin edhe të pedagogëve, madje në shumë raste, edhe të senateve dhe rektorëve. Teorikisht, në letër, kushtet e studentëve u pranuan. Madje, Ministria e Arsimit, nën udhëheqjen e kryeministrit, iniciuan edhe një “Pakt për universitetin”. Me fillimin e vitit të ri akademik, priten edhe pozicionimet e para të studentëve, unioneve studentore apo lëvizjeve për universitetet. Vetëm atyre u takon të pozicionohen.

Vitet e fundit, problem shqetësues thelbësor për vendin është braktisja e tij. Braktisje që nuk ndalet dhe është kthyer në rreth vicioz. Shumë shpesh, transmetojmë lajme se dhjetra shqiptarë kthehen nga hapësira Shengen pasi kanë shkelur rregullat e qëndrimit apo u është refuzuar kërkesa për azil. Ndërkohë, përditë, e përsërisim- përditë, mësojmë raste të reja të largimit të familjeve nga Shqipëria, sigurisht edhe nga Veriu e Shkodra. E pjesë e këtyre familjeve, natyrshëm janë edhe fëmijët. Këtu flitet nga të miturit, deri tek madhorët, edhe ata që ndoshta duhet të ishin nga dje pjesë e auditorëve të të universiteteve, edhe këtij të Shkodrës.

Ndoshta kjo është arsyeja madhore se përse ka rënë në mënyrë drastike numri si studentëve edhe në “Luigj Gurakuqi”.

Normalisht, ka apo mund të rreshtohen edhe dhjetra arsye. Mbase e para është mesatarja e vendosur për pranimin në universitete apo degë të veçanta. Mund të jetë edhe dëshira e mundësia për të studiuar jashtë vendit, në universitete private apo edhe në Tiranë. Nuk është utopi të pranohet se në shumë degë e fakultete, pesha specifike e një diplome në Shkodër, është më e ulët se ajo e Tiranës apo universiteti jashtë vendit. Gjithmonë në kuadër të punësimit pas përfundimit të studimeve.

Duhet të pranojmë edhe një fakt tjetër të pamohueshëm. Nga viti në vit, dëshira për studime universitare e maturantëve bie. Vlera e një diplome, sidomos asaj bachelor, është zbehur ndjeshëm. Jo më kot prej disa vitesh qarkullon edhe në Shkodër, në formën e barcaletës se “juristët e diplomuar shërbejnë si kamarierë” në lokale luksoze. Mungesa e tregut të punës pas përfundimit të studimeve, dekurajon maturantët drejt bankave të universiteteve. E kështu, mbase edhe për shkaqe ekonomike familjare, zgjedhin të punësohet apo vetëpunësohen se “universiteti aty është edhe pas disa viteve”.

Urojmë që jo, por praktikisht dega e Fizikës në Shkodër është në prag të mbylljes zyrtare. Edhe shumë degë të tjera, kryesisht të mësuesisë, janë në të njëjtën rrugë. “Pengesa” e parë duket se është mesatarja e pranimit, nëse nuk gabojmë, mbi 7,5%. “Pengesa” e dytë por ndoshta edhe më seriozja, është rrugëtimi i punësimit pas përfundimit të studimeve. Pas diplomës “bachelor”, duhet edhe ajo “master”. Pas saj, duhet praktika e punës, licensimi si mësues e në fund, futja në “oqeanin” e pafund të mundësisë për punësim: Mësues për Shqipërinë! E këtu, ka shembuj me dhjetra që, edhe nëse ke rezultuar fitues dhe ka patur vende të lira, vendin e punës e ka marrë dikush poshtë teje në listën e pritjes. E pak a shumë, pas të paktën 6 viteve sakrifica të studentëve e familjeve të tyre, një i diplomuar mund të gjendet në kushtet e fillimit të punës së parë në jetën e tij si…kamarier!

Si çdo drejtues tjetër, i shigjetuar me apo pa të drejtë siç ndodh rëndom në këtë “nahijen” tonë, edhe rektori Adem Bekteshi mund të ketë dritë- hijet e tij. Po të doni, edhe mëkate. Në sistemin e zgjedhur për “qeverisjen demokratike” edhe në universitete, ai do të japë llogari nëse do të paraqitet për rikandidim si rektor në mbyllje të mandatit të tij. Mediat, kanë “pushtetin” që ti bëjnë “gjyqin” çdo ditë, me ose pa të drejtë dhe rektori/ët kanë të drejtën të përgjigjen ose jo, nëse kanë një tribunë për të thënë fjalën e tyre.

Para më shumë se dy mijë vjetëve, dikush artikuloi një shprehje që edhe sot përmendet shpesh: Jepi Çezarit atë që është e Çezarit dhe Zotit atë që është e Zotit! E në këtë rast, rektori/ët nuk është as Çezari e as Zoti! Kush është i pamëkat, të hedh gurin e parë! Por kjo është temë tjetër e futemi në retorikën pa dalje të 30 viteve të fundit! /Analizë e ShkodraWeb/

P.S. Analiza e mësipërme synon hapjen e një debati të gjërë, edhe mediatik, për këtë çeshtje. Çdokush është i lirë të dërgojë mendimin e tij në formën e një shkrimi opinion/analizë dhe e sigurojmë se do të publikohet duke ruajtur parametrat profesionalë dhe të etikës.

Për tu bërë pjesë e grupit "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kerkesa juaj do të shqyrtohet menjëherë. KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.