ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ Basha vazhdon fushatën, problemi është se kur janë zgjedhjet…?!

Nuk është sekret se Lulzim Basha është në një fushatë të pashpallur zyrtarisht. Nga Malësia e Madhe në Sarandë, nga Korça në Vlorë, ditë për ditë shefi i opozitës është në takime thuajse elektorale. Ndërsa bashkitë e djathta kanë rënë të gjitha në dorën e atyre që u votuan me 30 qershor, Basha vazhdon sulmet politike ndaj Ramës e mazhorancës, ndërsa ka nisur të shpaloset në formën e premtimeve edhe platforma ekomonike e sociale e ofertës së PD-së.

Loading...

Në fushatë është vetëm PD-ja, edhe pse në fakt duhej të ishin edhe aleatët e saj, ata që dërguan kerkesë për regjistrim për zgjedhjet e 13 tetorit sipas dekretit të Presidentit Meta. Por jo, ato kanë lënë aktivitetin politik duke u shfaqur me ndonjë opinion në rrjete sociale, në ndonjë studio emisionesh politike a edicione lajmesh. Të gjitha palët e opozitës, akoma nuk flasin për përçarje.

Nëse situata në Shqipëri është të kufijtë e çoroditjes, në kampion opozitar mund të jetë çfarëdo përveç normalitetit. Pasi dorëzoi me dëshirë mandatet e deputetëve në mesin e shkurtit, në krye të gjashtë muajve po dorëzon edhe çelësat e bashkive. Të paktë atyre që qeveriseshin nga të propozuar të saj. Praktikisht, nga fundi i gushtit nuk do të ketë akses në asnjë lloj pushteti në këtë vend.

Nëse është një lloj fushate elektorale e pashpallur zyrtarisht, kur pritet të ketë zgjedhje?

Pyetja është e natyrshme teksa për Ramën “30 qershori” është kapitull i mbyllur. Bashkitë po “bien” të gjitha në njëngjyrëshe. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese (Zoti e di se kur do të krijohet!) mund ti shpallë votimet e 30 qershorit të pavlefshme, mazhoranca me forcën e kartonave në Kuvend, mund të vazhdojë pa çarë kokën përpara. Nuk do të ishte hera e parë që Kuvendi do të bënte “nul” një vendim të detyrueshëm për zbatim të kësaj trupe gjyqësore. Por edhe nëse Rama do të bëhej papritur i arsyeshëm, me 61 bashki të administruara në ekzekutiv dhe këshilla bashkiakë, me njerëz të demotivuar apo të papunë nga rradhët e opozitës, praktikisht zgjedhjet vendore kurdo të bëhen, vështirë të humben nga mazhoranca e majtë. Epër ta mbyllur kapitullin e zgjedhjeve, Rama ka lënë takimin e rradhës me opozitën jashtë Kuvendit në vitin 2021.

Qartas, Lulzim Basha kërkon të mbajë gjallë frymën e krijuar me 30 qershor, braktisjen e dukshme të shqiptarëve ndaj zgjedhjeve pa alternativa. Është diçka pozitive dhe që i sherben pikë së pari…Lulzim Bashës. Lidershipi i tij në takime të përditshme me antarë, simpatizantë, mbështetës apo edhe qytetarë të pakënaqur, rritet pa dyshim. Por nga ana tjetër, nëse zgjedhjet nuk janë të afërta, njerëzit edhe mund “të velen”. Sepse po dëgjojnë shumë, por po shohin pak ose aspak. E para dhe më e rëndësishmja, askush nuk u ka thënë se duhet të jenë gati për zgjedhje…pas 3 muajve, 6 muajve, një viti apo dy vjetëve. Pavarësisht artikulimit të ashpër, akuzave të forta për Ramën apo kryebashkiakët e 30 qershorit, asgjë më shumë nuk po ndodh. Dhe çfarë është jo pak e rëndësishme, faktori ndërkombëtar akoma nuk ka dhënë një shenjë të qartë e të fortë të “veljes” me Ramën apo një qasje më pozitiviste ndaj opozitës.

Për pozicionin që ka, Lulzim Basha mund të dijë. Shumë më shumë se drejtuesit  e tjerë të PD-së, shqiptarët po e po. Mbase ka marrë garanci për zgjedhje të shpejta politike. Ndoshta pas 18 tetorit me një përgjigje negative të BE-së për çeljen e negociatave. Por zgjedhjet në këtë vend, me kushtetutën e ndryshuar bashkarisht në 2008-ën, mund ti provokojë para kohe vetëm kryeministri. E Rama duket i fortë në Kuvend me vota dhe “takimin” ai e ka lënë në 2021-in.

Lulzim Basha është në të drejtën e tij legjitime të organizojë çdo ditë, çdo orë takime në mbarë vendin. Është detyra e tij të evidentojë keqeverisjen e vendit, problemet dhe zgjidhjet kur ai dhe opozita të vijnë në pushtet. Lulzim Basha ka detyrimin madhor ti tregojë shqiptarëve, të paktën në vija të trasha, se si do të realizohet ardhja e opozitës në pushtet, me çfarë mekanizmi, në çfarë afati kohor. Këtë pjesë, të paktën deri tani, në takimet me shqiptarët, ai nuk e ka elaboruar akoma. Pikërisht nga këtu, nis rrugëtimi i vertetë. Këtë herë jo për Bashën, por për ata mijëra demokratë, që mbase edhe kokëulur dhe të pakënaqur me vendimet e lidershipit, vazhdojnë të luftojnë, rezistojë, sakrifikojnë por edhe shpresojnë. Lulzim Basha ua ka borxh këtë! Përsa kohë është në krye të PD-së dhe ka marrë përsipër detyrën e vështirë të udhëheqjes së opozitës. Kur të vijë në pushtet, ka për të qenë shumë më e lehtë. Për të gjithë. Edhe për Lulzim Bashën. /Nga Blerti DELIJA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.