ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

ANALIZA/ A po vetëkompromentohet Edi  Rama me heshtjen për dorëheqjen e Haradinajt…?!

Edhe Departamenti i Shtetit Amerikan ka komentuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj. Klasa politike në Kosovë e Shqipëri, natyrshëm. Mediat ndërkombëtare, nga më prestixhozet tek ato serbe. Qytetarë të shumtë në rrjetet sociale nga Kosova, Shqipëria e mbarë bota. Mungon vetëm…Edi Rama!

Kryeministri i Shqipërisë mund të ketë marrëdhëniet më të këqija të mundshme me Ramushin por për pozicionin që ka, është i detyruar të shprehet për homologun e vendit të dytë shqipfolës në Ballkan. Më së pakti, e ka detyrim institucional në emër të qytetarëve të tij e më pas, edhe në respekt të luftës së UÇK-së ku Haradinaj ishte një nga komandatët e spikatur.

Katër rreshta, ndoshta pa shumë dëshirë, i ka publikuar edhe presidenti Thaçi, jo më pak në kontradikta me Haradinaj. Madje, duke qenë “kokat” e një shqiponje brenda Kosovës si kryeministër e kryetar shteti. Pse po vazhdon të heshtë Edi Rama kur po mbushen 24 orë nga dorëheqja e Haradinaj?

Jo rradhë është folur e komentuar për marrëdhënien jo fort të largët të kryeministrit tonë me Vuçiçin e Serbisë, më herët homolog i Ramës. Nga ana tjetër, marrëdhënia e shefit të qeverisë shqiptare me presidentin turk Erdogan është mjaft miqësore. Madje, tashmë flitet edhe për vizita miqësore në rezidenca verore, si kjo e pak orëve më parë. Deklarimet e Haradinajt kundër Vuçiç e sidomos taksa e famshme por edhe pozicionimet kundër interesave erdoganiste në Kosovë, janë të njohura. Në pamje të parë, duket se Edi Rama po ndjek pikërisht linjën e Vuçiç dhe Erdogan.

Në vitin 2012, kur Haga do të lironte si të pafajshëm Haradinaj, Rama do të deklaronte: “Lirimi i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj është një moment i jashtëzakonshëm. Qysh prej sot të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e UÇK-së dhe heroiken e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithmonë”. Sot, me dërgimin për herë të tretë në Hagë, Rama hesht.

Pyetja që lind natyrshëm është: A po vetëkompromentohet Edi Rama? Kompromentim, jo vetëm në shpalljen publike të armiqsësisë individuale me Ramushin por me kryeministrin e Kosovës? A po hedh hije të forta dyshimi për një mbështetje të aleancës gati të shpallur zyrtarisht në Ballkan në mes Rusisë, Turqisë e Serbisë? A po i jep një goditje të fortë imazhit të tij si pro- perendimor, madje deri në anti- rus shefi i ekzekutivit shqiptar? Kush ka fuqinë ta mbajë peng Ramën për të mos shkruar dy fjalë, për të vendosur një hashtag, një foto me kryeministrin e Kosovës?

Një person tej mase aktiv në rrjete sociale, një kryeministër që shfaqet si nacionalist në shkallë siperiore, një shef ekzekutivi që e ka “ajamë” të anatemojë opozitën e vendit të tij si të lidhur me interesa ruse, ka një hall të fortë që vazhdon të heshtë për dorëheqjen e Ramush Haradinaj! Çfarë halli…?! /ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.