26 maji 1996 është një ditë e njohur në kalendarin e 29 viteve të fundit të “Shqipërisë së re” post- komuniste. Edhe 28 maji i 48- orëve më pas është po aq i famshëm. Sheshi kryesor i Tiranës u bë dëshmitar i një keqtrajtimi unik të liderëve të opozitës së kohës, pas një proteste që nga “Ali Demi” u spostua në mes të kryeqytetit.
Ekzaktësisht 23 vjet më parë, Shqipëria ishte thirrur të votonte për rinovimin e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992. Pakkush e vinte në dyshim se zgjedhjet do të fitoheshin nga PD-ja, e cila në fakt kishte mbetur e vetme në koalicionin e saj të krijuar pas fitores së zgjedhjeve të para të gjithëpranuara në vend. Slogani “Me ne fitojnë të gjithë”, ishte mjaft joshës dhe madje, deri diku i vertetë. Është periudha kur “embargo” ndaj ish- Jugosllavisë kishte çelur mundësi të shumta fitimi nga Jugu në Veri. Kjo, sepse karburantet ngjiteshin nga Greqia drejt Malit të Zi me autobote, të cilat rrugës “rridhnin” duke krijuar të ardhura të kënaqëshme edhe për drejtuesit e mjeteve private që tregtonin 2-3 bidona.
E në fakt, PD do të fitonte, siç edhe fitoi por me një “fitore të Pirros”. Socialistët, atëherë në opozitë, kishin ndërtuar një skemë për ta përdorur fiks në ditën e zgjedhjeve. Ndërsa po zhvillohej votimi, komisioneret e PS-së u tërhoqen në grup nga komisionet. Zgjedhjet vazhduan, por numërimi prodhoi rezultate të çuditshme të tipit 120% pjesëmarrje në votime. Kjo, nga “tamahi” i komisionerëve të mbetur për të siguruar fitoren e partisë së tyre.
Pas 26 majit erdhi data 28 maj dhe një vit me pas, 1997-a e marrëzisë kolektive dhe 29 qershori i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, ku PD u rrëzua nga pushteti për të qendruar 8 vite në opozitë ndërsa PS qëndroi po kaq në pushtet.
A ka shërbyer si mësim 26 maji 1996? Nga ajo datë, kur për herë të parë në një sistem të ngritur demokatik, zgjedhjet krijuan problemet e para madhore, në çdo takim elektoral ka patur probleme. Ku më shumë e ku më pak, pakënaqësitë kanë qenë përherë të pranishme. Ajo që nuk mund të mohohet, është se ndryshimi i pushteteve përgjithësisht, ka qenë i gjithëpranuar. Kështu në vitin 2005, kështu edhe në 2013. Normalisht, pasi është plotësuar cikli 8 vjeçar apo i dy mandateve rradhazi.
Në vitin 1996, i plotfuqishëm dhe i gjithëpushtetshëm ishte Sali Berisha, president i vendit. Sot, në të njëjtat pozita, është Edi Rama, kryeministër i vendit dhe sigurisht, 20 vite më i ri se Berisha i sotëm por gati në një moshë më të pjekur se Berisha i 1996-ës. Mësimi i parë dhe i dukshëm që vjen nga 26 maji është se në një sistem demokratik, zgjedhjet pa opozitën nuk kanë vlerë dhe se opozita si e Sali Rexhepit, nuk mund të emërohet. Mesazhi i dytë, nëse duan ta lexojnë, është se numrat në Kuvend nuk të japin të drejtën e arrogancës dhe fitores me çdo kusht. E treta, ndërkombëtarët përgjithësisht mbështesin pushtetmbajtësit e momenit, deri në momentin kur cënohen themelet e sistemit demokratik të një vendi.
Ndërsa po mbyllen këto rreshta, mësohet se Edi Rama i ka dërguar të pestën letër publike rradhazi Lulzim Bashës. Madje, sot e njofton se nga 31 maj- kur opozita ka paralajmëruar protestën e rradhës, hapja e fushatës së PS-së shtyhet me 1 qershor. Nëse 2018-a do të mbahet mend gjatë si “viti i Skenderbeut”, ka shumë gjasa që 2019-a të mbahet mend si “viti i letrave të Ramës pës Bashën”. Ka mundësi që Rama po e kthen në “zbavitje” këtë punën e letrave, edhe pse në fakt situata është në kufijtë e dramatikes dhe po precipiton me shpejtësi jo drejt 30 qershorit të zgjedhjeve por të përplasjes civile. Mbase atëherë do të kujtohemi për 26 majin dhe gjthë historinë që e pasoi dhe po e tregojmë edhe sot… /Shënim i ShkodraWeb/