
Të mos i besosh teorive konspirative sot, në 2026- ën, është po aq e lehtë sa ti besosh. Jetojmë në epokën ku asgjë nuk është e pamundur teorikisht dhe çdo gjë është e mundur edhe praktikisht. Me përjashtim të disa gjërave që akoma nuk nuk janë arritur, sot e gjithë bota është në dorën tuaj, me tekst, audio, video, para, blerje, shitje e të gjitha proceset. “Vetëm nanë e babë nuk gjen më”, nëse të kanë vdekur, është shprehja që përsonifikon mbase më mirë epokën që jetojmë.
Javët, mbase muajt e fundit, edhe në Shqipëri, AI apo Inteligjenca Artificiale, është futur jo gjerësisht por thellësisht, deri në palcë të çdo individi. Sigurisht, atyre që janë disi miqësorë me teknologjinë por edhe të tjetër, direkt apo indirekt, janë subjekte deri në viktima të AI. Tashmë krijohen apo falsifikohen realitete të pabesueshme, audio, foto, video sa edhe armiqtë më të mëdhenj të serviren si miqtë më të afërt. E shumë janë që bien viktima. Të tjerë, sepse është pikërisht ajo që duan të besojnë me trurin e tyre.
E gjithë kjo parantezë, për të shkruar disa rreshta për një ngjarje të thjeshtë, këtej në “nahijen tonë”, siç i pëlqen dikujt ta përcaktojë. Zvërneci më shumë por edhe Pishë Poroja. Tashmë janë kryefjalë, më saktë, u kthyen në kryefjalë në brenda pak orësh, shumë- shumë ditësh. Rrjollorët e Baks- Rrjoll, prej muajsh thuajse në të njëjtin hall me vlonjatët, zvernecarët apo pishëporojarët (nuk e di nëse përcaktimi i banorëve është i saktë, nëse jo, NDJESË!), duhet të ndjehen ziliqarë apo qytetarë të “kategorisë së dytë” në kuptimin e sensibilizimit të opinionit publik për protestën e tyre.
Dy çeshtjet, me në thelb problemet e pronësisë që nuk u zgjidhën e me gjasë nuk do të zgjidhen në këtë vend edhe për shumë vite, janë mjaft po mjaft të ngjashme. Ndërtime turistike luksoze, në bregdet, në qindra hektarë tokë por me shuma investivesh shumë të ndryshme e sidomos, pronarët e këtyre sipërmarrjeve. Në Baks- Rrjoll po ndërton një “oligark” shqiptar, shumë i njohur, shumë pasanik, shumë ambicioz por gjithsesi, shqiptar. Në Zvërnec- Pishë Poro, janë të huaj, aludohet për arabë nga Katari, Izraeli e gjithmonë të huaj. Të huaj, por jo si ata që e kanë bërë këtë vend “shportë” këto 36 vite por vertetë VIP: Vajza dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Ivanka dhe Jared Kushner.
E këtu, nga të gjitha anët, marrin hov teoritë konspirative. Nga më të ndryshmet por edhe me bazë, sepse Ivanka dhe Jared kanë qenë edhe fizikisht aty ku parashikohet ndërtimi i resortit me vlerë 4 miliardë euro. Sa për të krijuar ide, gjysma e buxhetit të shtetit të Shqipërisë, pak a shumë.
Shqipëria, nuk përbën sekret, është vëndi më pro amerikan jo vetëm në Ballkan, jo vetëm në Europë por mbase edhe në botë. Pavarësisht tl gjithave, deklaratave e qëndrimeve të së shkuarës, kryeministri Edi Rama, është i rreshtuar në të njëjtën linjë. Për shumë arsye, shumica e të cilëve lexojnë këto rreshta, i dinë. Madje, shefi i qeverisë, po përpiqet të mos shfaqet aq sorosian sa deri para disa muajsh apo vitesh, pa shkuar në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë Donald Trump.
Nga ana tjetër, kush mendon se në 2026- ën, lufta me armë është më e rëndësishmja, po jeton “epokën e gurit”. Sot lufta e vërtetë bëhet për ekonominë, dominimin financiar. Në këtë linjë, si aksesor, janë edhe luftrat në kuptimin tradicional të fjalës. Çdo luftë me armë, në thelb ka përfitimin financiar- ekonomik. Edhe çeshtja Zvernec- Pishë Poro, mund të shihet edhe kështu. Për 35 vite, Shqipëria ka qenë “lider” i turizmit “bukë me vete” apo të varfër. Këtë e kemi konstatuar të gjithë, nga Shkodra, në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht numri i turistëve rritet çdo vit, por të ardhurat nga turizmi janë modeste. Për të marrë një shembull: Nëse 1 milion turista me “bukë me vete” me nga 100 eu që mund të harxhojnë në Shqipëri, “bëjnë xhiro” 100 milionë euro, 100 mijë turista elitarë që harxhojnë në Shqipëri për pushime me standarde të larta 10 mijë euro për kokë, do të sillni 1 milardë euro xhiro. Edhe pse, numri i turistëve do të shënonte rënie drastike. Kjo është ideja e ndërtimit të resorteve elitare, kaq e thjeshtë është.
Sigurisht, turizmin “bukë me vete” nuk e pengon dot askush, por ai elitar, është një mundësi e mirë për të rritur të ardhurat prandaj duhen investime të huaja, me shifra që tani për tani të paktën, investitorë shqiptarë nuk mund ti përballojnë. Duke iu rikthyer “teorive konspirative”, fqinjët tanë, prej vitesh tashmë me struktura turistike elitare në funksion, nuk janë shumë të interesuar t’u ikë një pjesë e punës e klientelës. Ndoshta edhe menaxhere dhe biznese të turizmit vendas shqiptar “bukë me vete”, nuk e kuptojnë apo i tremben turizmit elitar se po u merr klientët, edhe pse në fakt ka shumë pak gjasa. Madje, nuk është çudi që në Shqipërinë e vogël, e njohur jo rrallë edhe si “han pa porta”, po konsumohet edhe një përballje Trump- Soros… Ballkani, që në fillim të viteve ’90 njihet si i preferuar i strukturave të George Soros, duke nisur me “Open Society” Foundation. Meqë këto rreshta i nisëm edhe me idenë e “teorive konspirative”, aq më shumë kur edhe opozita është një një krah me qeverinë aktuale. Kush ka, është i lirë të shfrenohet në të tjera “teori konspirative”, pasi asgjë një 2026- ën nuk është e pamundur…në Shqipëri e më gjërë. /Nga Sokol N. SOKOLI/




