I lumtur dhe euforik! Këto dy fjalë mjaftojnë për të përkufizuar gjendjen shpirtërore të Saimir Tahirit sapo mësoi se i shpëtoi paq burgut. Vendimi i trupës gjykuese, ka ardhur si një çlirim për ish- ministrin e brendshëm, i cili u tradhëtua nga djersët që i kishin dalë edhe mbi xhaketë.
Saimir Tahiri u përdor si një instrument për ti treguar atyre që kanë në dorë fatet e rrugëtimit europian të vendit tonë se “edhe peshqit e mëdhenj dënohen tek ne”. Në fakt, vendimi i dha nga “drejtësia e vjetër”, tre gjyqtarë që duhet të kalojnë përmes “vetting”- ut. Ajo që pritet me interes, është reagimi i SHBA e BE për vendimin e gjykatës, gjithmonë nëse do të ketë reagim. Diplomatët nuk ka ngurruar “të përshëndesin” apo të “shprehin keqardhje” për vendime gjykatash për “peshq më të vegjël”, por nuk është e qartë nëse do ndodhë kështu edhe me Saimir Tahirin.
Personalisht, kam qenë i bindur se Saimir Tahiri nuk do të dënohej, në kuptimin e mbylljes brenda në një qeli. Ish- ministri ka qenë një figurë kyçe në 4 vitete e para të qeverisjes së Ramës dhe dënimi i tij real, do të kishte pasoja edhe për mazhorancën. Publikimi i statuseve pa lidhje të Ramës në rrjete sociale, pak minuta para dhënies së vendimit nga gjykata, krijoi përfundimisht bindjen se Saimir Tahiri do të shpëtonte paq.
Saimir Tahiri u hodh si karrem në ujin ku janë hedhur grepat e ndërkombëtarëve në prag të vendimmarrjes për çeljen ose jo të negociatave të vendit tonë me BE-në. Nuk është e qartë akoma nëse e kanë ngrënë ose jo karremin e hedhur nga Rama, por heshtja e mundshme e selive diplomatike në Tiranë, nuk do të linte shije aspak të mirë.
Saimir Tahiri shërbeu edhe si një mjet “për të larë duart” mazhoranca nga “mëkatet” e saj lidhur me kanabisin, kultivimin e eksportimin e tij jashtë vendit. Rënia e dy akuzave të rëndë dhe “dënimi” vetëm për “shpërdorim detyre”, ka qenë si një çlirim edhe për vetë Ramën.
Prokuroria ka padyshim “mëkatet” e saj në trajtimin e çështjes, administrimin e provave dhe shpalosjen e tyre para gjykatës. Që në krye të herës, juristë, avokatë, madje edhe gazetarë kanë paralajmëruar se prokuroria në një farë mënyre, po lehtësonte pozitëb juridiko- penale të ish- ministrit të brendhshëm me veprimet e mosveprimet e saj.
E ndodhur nën trysninë e “vetting”- ut, Gjykata nuk kishte asnjë mundësi të jepte vendim më të rëndë, sigurisht e ndihmuar edhe nga prokuroria. “Drejtësia e vjetër” dështoi përsëri në përballjen me politikën, duke e bërë edhe më ulëritëse nevojën për një reformë të vertetë në këtë sistem.
Saimir Tahiri, Edi Rama dhe mazhoranca fituan “betejën” e parë të vertetë me “drejtësinë e vjetër”. Por tani mbetet fitorja “finale”, ajo e luftës. Nuk ka asnjë dyshim të ish- ministri i brendshëm do të ankimojë në Apel vendimin e Shkallës së Parë. Pasi shpëtoi mazhorancën, ai do të përpiqet “të pastrojë” plotësisht imazhin e tij, duke kërkuar të rrëzojë edhe akuzën qesharake “shpërdorim detyre”. Historia e 30 viteve të fundit ka treguar se një akuzë e tillë, është zbutur deri në rënie në shkallët e gjyqësorit shqiptar. Madje, Tahiri do të presë me durim edhe Gjykatën e Lartë, nëse Apeli vendos ndryshe, duke e lënë të fajshëm.
Ajo çfarë pritet me mjaft interes është nëse Prokuroria do të ankimojë në Apel vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë. Që “loja” të shkojë deri në fund dhe të bëhet më e besueshme për sytë edhe të ndërkombëtarëve, organi i Akuzës është i detyruar të ankimojë në Shkallën e Dytë, edhe në Gjykatën e Lartë nëse është nevoja.
Shpresa e fundit për një drejtësi të vertetë, çuditërisht pritet të vijë nga ajo e quajtura “drejtësi e re”, SPAK dhe BKH. Organet e reja që duhet “të tmerrojnë” politikanët e lartë, duhet të shihet nëse kanë mundësi të ndërhyjnë në një çështje të gjzkuar tashmë. Deri atëherë, “beteja” do të vijojë në studio televizive dhe foltore selishë politike. Shqiptarët, të etur apo viktima “të drejtësisë”, mbetet të rrinë e të vështrojnë… Deri atëherë, edhe një ndjesë për Saimir Tahirin, nëse do ta lexojë e nëse do ta pranojë. Sepse kur flet “drejtësia”, të gjithë duhet të heshtin! /Nga Blerti DELIJA/