“Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni.”. Është ky mesazhi i fortë dhe i drejtpërdrejtë i Ambasadës Amerikane për Lulzim Bashën.
Ishte e kuptueshme se pas vënien së lëvizje të strukturave politike të PD-së për “djegien e mandateve”, do të kishte reagime edhe nga ndërkombëtarët. Në këtë rast, vështirë të kishte takime në selinë blu. Eksperienca e vitit 2017, përfunduar me marrëveshjen e 17- 18 majit, nuk linte shumë hapësirë që diplomatët amerikanë në Tiranë të vizitonin zyrën e Bashës. Në fakt, një mundësi e tillë nuk mund të eleminohet apriori. Sipas gjasave, nuk do të kalojë shumë kohë që edhe BE, përmes Prezencës në vendin tonë, të shkojë pas linjës në SHBA-së. Natyrisht, edhe OSBE dhe në formë raksioni zinxhir, edhe nga ambasadat e vendeve të rëndësishme në vendin tonë.
Basha e dinte se do të vinte ky reagim i SHBA-së, më pas edhe i organizmave të cituar më sipër. Por nuk kishte zgjidhje tjetër përveç “djegies së mandateve” dhe humbjes së sigurtë të zgjedhjeve të 30 qershorit me kryeministër Edi Ramën.
Për herë të parë në historinë e njohur të demokracive moderne, por përvijohet një veprim i tillë, si ai në rrugëtim tashmë nga PD-ja. Basha por edhe strukturat e PD-së si Kryesia e më pas edhe Këshilli Kombëtar, po marrin mbi supe një risk të lartë. Dorëzimi i mandateve parlamenetare, sipas gjasave, pas tyre edhe ai i qeverisjes vendore, do të nxjerrë jashtë sistemit opozitën- rruga e vetme e të cilës do të ishte sheshi. Përveç kësaj, vetë sistemi nuk do të ishte në funksionim noramel,edhe sikur 62 emrat e opozitës së dorëhequr nga mandatet në Kuvend, të zëvendësoheshin nga po kaq deputetë, qoftë edhe nga rradhët e PD-së. Parashikimi më i zymtë mund të ishte kaosi, nisja e të cilit do të ishte nga mosbindja civile e iniciuar nga vetë liderët e opozitës jashtë sistemit.
Thirrja e Ambasadës Amerikane, i ngjason pak a shumë thirrjes në Maqedoni, kur 8 deputetë të opozitës iu bashkuan mazhorancës për të lindur “Maqedoninë e Veriut”. Edhe aty, gjithçka u arrit nga presioni ndërkombëtar, sidomos nga amerikanët. Edhe pse motivi në Maqedoni ishte në kufijtë e sublimes për ekzistencën e një shteti amorf në prag të shpërbërjes, në të njëjtën hulli mund të futet edhe arsyetimi përmes të cilit, Ambasada Amerikane i bën thirrje deputetëve të mos i binden Bashës dhe PD-së. Suksesi i Bashës do të ishte dorëheqja në bllok e 42 deputetëve aktualë, shoqëruar edhe nga ata të aleatëve. Mbushja e vendeve të lëna bosh, qoftë edhe me persona nga listat e mbetura, nuk do të dëmtonte politikisht Bashën. Sepse realisht, do të ishte një opozitë e emëruar nga Rama.
Presioni mbi Lulzim Bashën do të rritet. Njëkohësisht, do të tentohet çarja e Grupit Parlamentar, sidomos e atyre deputetëve aktualë që kanë indicie të forta për moskandidim pas dy viteve. Basha e ka të qartë, madje duhet ti ketë marrë mesazhet, se nëse kjo lëvizje përfundon në “marrëveshjen e rradhës” me Ramën duke qenë kryeministër, lidershipi i tij në krye të PD-së ka marrë fund! Nga ana tjetër, 30 vitet e fundit kanë treguar se çfarë u rezervon historia liderëve politikë që u dalin kundër orientimeve të ndërkombëtarëve- sidomos amerikanëve, në vende të standartit të Shqipërisë. /Shënim i ShkodraWeb/