
Një fjali e Taulant Ballës në takimet me diasporën shqiptare në Itali të dielen, ka rikthyer në vëmendje pyetjen: a do të kandidojë apo jo Edi Rama në listën e PS për qarkun Shkodër? Në fakt, vetë kryeministri ka thënë se e ka si opsion dhe po e shqyrton mundësinë e kandidimit në Shkodër. Kodi Zgjedhor mundëson kandidimin e kryetarëve në dy lista qarqesh, në 2021 Rama kishte emrin në Durrës dhe Vlorë. Pa shumë problem, do të ikte nga njëra listë për tu futur në atë të Shkodrës.
Sigurisht, ardhja e Ramës në Shkodër do të motivonte maksimalisht strukturat e PS dhe të të gjitha niveleve të qeverisjes qendrore e vendore. Po ashtu, Shkodra do të kthehej në epiqendër mediatike dhe publike, brenda e jashtë vendit. Ajo do të ishte në fokusin para, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas saj, të organizmave kombëtare dhe ndërkombëtare të monitorim- vlerësimit. Ma pak fjalë, e gjithë PS dhe strukturat shtetërore, do të përqendroheshin në Shkodër.
Nga ana tjetër, Edi Rama, siç ka bërë edhe në 2021, do të vendoste veten poshtë kufirit të mandateve të sigurta, të cilat bashkë me të LSI që sot në Shkodër është tek PS, janë 4. Që do të thotë, Rama mund të rreshtohej i pesti, duke e tentuar si numër mandatesh apo edhe për të thyer herësin me vota preferenciale. Kjo do të vështirësonte shumë pozitat sidomos të PD- së për të ruajtur numrin 5 të mandateve të 2021- it.
Kandidimi i Ramës në Shkodër, mund të shkonte në të njejtën linjë të ndryshimit historik të qasjes politike të kësaj bashkie me 14 maj 2023. Por nga ana tjetër, kandidimi i kryeministrit në Shkodër, mund të sillte edhe efektin e kundërt, boomerang, të kompaktësimit të opozitës të të gjitha drejtimeve, për sa kohë Rama shihet si rivali kryesor që duhet mundur. Pra, do të tentohej “shuplaka” e lënies jashtë zonës së mandateve të shefit të qeverisë.
Në fakt, idealja do ishte “përplasja” e të mëdhenjve “dinosaur” të politkës pikërisht në Shkodër, Edi Ramës me Sali Berishën, pikërisht në bastionin e vjetër të PD dhe në bastionin 2- vjeçar të PS, të cilin e fitoi pas mëse 30 vitesh por me një rezultat shumë të thellë, gati 12 mijë vota diferencë.
A do të kandidojë Edi Rama në Shkodër? Askush nuk mund ta thotë me siguri përveç vetë atij. Këto 35 vite, në politikë aktive apo jashtë saj, Edi Rama ka dhënë prova të mjaftueshme se është i paparashikueshëm në veprime dhe vendimmarrje. Nëse ndodh, rezultati i qarkut të Shkodrës, do të ishte vështirë i parashikueshëm! /ShkodraWeb/