Ata që e njohin e kuptojnë që 24 orët që përfundojnë në mesnatën e 23 prillit, perjetohen me ankth jo të vogël nga Edi Rama. Edhe pse ka marrë shumë përgjigje, të fundit vetëm para pak orëve, ai shpreson në “mrekulli”: Lulzim Basha ta regjistrojë PD-në për zgjedhjet e 30 qershorit. I gozhuar në zyrën e tij në Kryeministri ose në studion në Surrel, shefi i qeverisë po sjell në mednje të gjithë skenarët e mundshëm. Më fatlumi për të, do të ishte regjistrimi i PD-së në zgjedhjet vendore. Po të kishte mundësi, do ti jepte “në tepsi” edhe Bashkinë e Tiranës për Jorida Tabakun, edhe atë të Durrësit, edhe të Korçës, vetëm që Basha të pranonte “garën”.
Sipas gjasave kjo nuk do të ndodhë dhe skenari “B” është ai i një partie me mbiemër demokratik. Natyrisht, mund të ndodhë por do të ishte si një klonim edhe me mungesën e ADN-së fillestare të domosdoshme për krijimin e një partie. Nga hiçi, pa “çak”, pa “bum” të mblidhen 3 mijë firma, ka vetëm një mënyrë për t’ia arritur: Vetëm me mbështetjen e qeverisë dhe të institucioneve shtetërore, edhe atyre të pavarura. Nga ana tjetër, ata që sot quhen “opozita e re” në Kuvend, as që bohet fjalë të bashkohen nën siglën e një partie me mbiemër demokratik. Skenari “B”, duket praktikisht i paarritshëm për tu realizuar, deri diku me besueshmëri.
Mbetet skenari “C”, ai i përfaqësimit të opozitës nga Koço Kokëdhima me “Zgjidhjen” e tij. Ish- menorii Edi Ramës ka ndryshuar qasje. Tashmë nuk është kushtu futja në zgjedhje vetëm nëse futet PD-ja, ose opozita e vertetë siç e quante ai dikur. Por edhe “2K”, që vazhdon të marrë tendera për ndermarrjet e tij nga qeveria aktuale, nuk është e besueshme. Divergjencat publike të Ramës me Kokëdhimën shpërthyen kur Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit socialist dhe bisnemeni akuzoi liderin e partisë tek e cila militonte se nuk e mbështeti. Më saktë, nuk ndërhyri me pushtetin e tij që të mos i hiqej mandati. Po ashtu, Koço Kokëdhima, me të kaluarën e tij por edhe këto 30 vite, është rreshtuar më majtas se të majtët me qëndrimet e tij.
Ka edhe një skenar “D”, të fundit mbase. Por për ta realizuar, Edi Rama duhet t’i bëjë “karshillëk” BE-së dhe SHBA-së, për të lëpirë atë që ka pështyrë. Të kërkojë publikisht një tryezë fillimisht me emisarë (siç ndodh gjithmonë në politikën tonë) të rëndësishëm për ti paraprirë një përballje Rama- Basha.
Në kushtet aktuale dhe në pozicionin e tij, Basha nuk ka asnjë mundësi për të bërë lëvizje. Rama është më komod por edhe ka mundësi të marrë një vend të spikatur në historinë e vendit si kryeministër, pasi ka fituar pa më të voglin dyshim si kryebashkiak i Tiranës. Në çdo lëvizje, Basha është përballë “mat”-it, ndërsa Rama ka mundësinë të ofrojë edhe “remi”, nëse flasim me gjuhën a shahut. Por në rastin e Ramës, është çështje dëshire. Por përveç se dëshirë edhe përceptim. A ka dëshirë të hyjë në hitori Rama? Padyshim, po! Si pakkush në këtë vend, ka arritur gjithçka, i mbetet vetëm presidenca, të cilën nëse e ka synim, e arrin. Përceptimi lidhet me të sotmen, por edhe të nesermen: Vertetë betejat e tij elektorale i ka fituar vetëm duke bazuar tek vota e qytetarëve? Në këto 24 orë, e ka mundësinë ta provojë. Më saktë, të nisë rrugëtimin e provës. Të mbajë pushtetin në prapaskenë, por duke u larguar nga karrikja e kryeministrit, të paktën përkohësisht. Të krijojë një qeveri socialiste, qoftë edhe me kryeministër “kukull”. Të përcaktojë afate për kryerjen e reformave të rëndësishme në vend bashkë me opozitën. Më pas, të çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme dhe…ti fitojë nëse qytetarët do ta votojnë. Nëse opozita nuk respekton afatet për kryerjen e reformave që ajo vetë kërkon, të rikthehet sërish kryeministër meqë numrat i ka dhe të fitojë në 2021, 2025, 2029…
Këto janë 24 orët e fundit të Edi Ramës. Zgjedhja është e tij, të hyjë ose jo në historinë e Shqipërisë si kryeministër. Për mirë gjithmonë! /Nga Blerti DELIJA/