Pak minuta pasi zyrtari i PD-së Ivi Kaso denoncoi shtimin e 200 mijë votave nga KQZ-ja për pjesëmarrjen në votimin e 30 qershorit, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka shpërndarë në rrjete sociale një postim. “Opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur.”, shkruan ndër të tjera ai. Qendrimi i lidershipit opozitar ishte i pritshëm, por zyrtarizimi përmes Bashës, i jep një peshë specifike tjetër. Në fakt, KQZ-ja e Bibës, me apo pa orientim- mbetet të verifikohet, ka bërë gabime trashanike gjatë dhe pas 30 qershorit. Votat “janë shumuar” brenda kutive të votimit në mënyrë të pazakontë dhe të padëgjuar më parë. Edhe daljet e shpeshta të Drilonës në konferenca për shtyp, nuk mund ti japin kundërargument për akuzat e opozitës. Procesi i 30 qershorit, fatmirësisht nuk është i pari dhe precedentët e mëparshëm, janë kokëfortë. Dhënia e rezultateve për pjesëmarrjen në zgjedhje nga KZAZ-të, nuk është çshtje “telefonatash” siç përpiqet ta minimizojë Komisioni “Biba”. Janë të paktën 3-5 persona që kalojnë të dhënat në duar para se një IT zyrtar i KQZ-së, ti hedhë ato në sistem. Është në kufijtë e të pabesueshmes që të gjithë këto persona, “të gabojnë” që të gjithë në seri njeri pas tjetrit. Nga ana tjetër, ka edhe një argument kokëfortë që nuk e mban në këmë alibinë “Biba”. Në të gjitha raportimet, ka patur “gabime” por që lidhen me vetëm me vota të shtuara pas “përpunimit” nga KQZ. Nuk ka asnjë rast të vetëm që, në një KZAZ, të jetë gabuar në krahun tjetër. Pra, që të jetë deklaruar gjatë “keqnumërimit” nga KZAZ-të më pak vota se sa votues. Edhe në Shkodër, rastet janë të dokumentuara, kur antarët e komisioneve të Qendrave të Votimit, janë vetëngujuar brenda tyre, pa praninë e asnjë personi tjetër me përjashtim të tyre. Por nga ana tjetër, në raste të dokumentuara, mbështetës të opozitës kanë qëndruar pranë QV-ve dhe sipas gjasave, presioni u ka mundësuar vetëm njërin proces: Shtimin e fletëve të votimit por jo rakordimin me proces- verbalet e mbylljes së votimit që janë bërë në orën 19.00. Prandaj vetë KQZ “Biba”, ka dhënë “një dorë” të madhe për të delegjitimuar procesin e 30 qershorit, pa patur shumë nevojë dhe siç ka deklaruar opozita në kushtet e “vetë voto, vetë numëro e vetë manipulo”.
Askush nuk e artikulon qartas, por 30 qershori më shumë se votim njëngjyrësh për administratorët vendorë, ka qenë një “referendum” i pashpallur. Lidershipi i opozitës, vazhdimisht gjatë ditëve të fundit që i paraprinë 30 qershorit, ka bërë thirrje pët “braktisje të votimeve moniste”, “bojkot të votimit” etj. Prandaj pjesëmarrja ka qenë mjaft e rëndësishme, prandaj edhe komisionarët PS+Shoqëri Civile (teorikisht, këta të fundit) kanë gabuar nën presion. Në fakt, siç është normale të gabohet. Nga ana tjetër, votat janë shtuar edhe për të balancuar disi, në zonat e influencës “pushtetin” e PS-së. Në qarkun e Shkodrës për shembull, ka një faktor PSD që është “rilindur”, ashtu siç ka ndodhur edhe në qarqe të tjera. Nuk është e vështirë të hamendësohet se votat mund të jenë shtuar edhe për të ngritur numrat e partive të tjera politike, në formën e qokave. Kështu ka ndodhur edhe me PUK-un e Idajet Beqirit, i cili mori bonuset pasi “goditi” me padinë e tij dekretin e Metës në kolegjin Zgjedhor. Rasti më flagrant, është ai i Bashkisë Pukë. Në procesin e numërimit të votave, fillimisht nuk është lejuar as prezenca e vëzhguesve të ODIHR, pikërisht për “të rregulluar” përqindjet e votave të subjekteve politike për këshillin bashkiak. Çdo gjë u mbulua nga një “terr informativ”, por gjithsesi ODIHR ka mbajtur “shënimet e veta”.
Pavarësisht shifrave zyrtare ose jo, të ndryshuara deri tani apo edhe më vonë, një gjë është e qartë. “Referendumin” e ka fituar falë shqiptarëve, Lulzim Basha. Ka fituar pa qenë pjesë e fletëve të votimit, por duke qenë pjesë e procesit. Edhe mospjesëmarrja, pavarësisht se nuk është sanksionuar në Kushtetutë e në Kod Zgjedhor, është mënyrë shprehje e qytetarëve. Madje, prej vitesh “partia e abstenuesve”, është më e madhja në Shqipëri me mbi 50%.
Edi Rama dhe mazhoranca kanë në dorë të gjithë mekanizmat e shtetit për të ecur të qetë drejt rikonfirmimit të “30 qershorit”. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë prova se udhëhiqen politikisht, madje edhe në shkelje flagrante të ligjeve, këto të konstatuara, e zezë në të bardhë, nga raporti paraprak i OSBE/ODIHR. Një nga rregullat e pashkruar të jurisprudencës, e konsideron ligjin si “rregull moral i mbështetur nga shumica e shoqërisë, që më pas bëhet i detyrueshëm për të gjithë përmes disa procedurave demokratike e të mirëpërcaktuara”. Në këtë kuptim, pa patur aspak nevojë, KQZ “Biba” dhe rrogëtarët e saj nëpër 61 bashkitë, kanë dhënë një “kontribut” të madh për rrëzimin e “30 qershorit”. Në këtë datë, pasi “i shpëtoi” përsëritjes së një 1997-e tjetër, mazhoranca kishte mundësinë, që përmes KQZ-së, të realizonte një proces model. Çfarë do të ndodhte nëse pjesëmarrja në votime nuk do të ishte 22% siç e nxorri sot KQZ por 15%? Çfarë do të ndryshonte nëse numri i votave do të rakordonte me numrin e votuesve? Çfarë do të ndodhte nëse dyert e qendrave të votimit me komisionarët e vetëngujuar brenda, nuk do të mbylleshin? Në rezultatin final, asgjë! Përsëri opozita nuk do ta njihte “30 qershorin” por raporti i OSBE/ODIHR mund të ishte më i zbutur dhe një “armë” më pak për opozitën.
Këtë rrëzim të zgjedhjeve nga keqadministrimi i KQZ “Biba” e ka parashikuar vetë Rama e mazhoranca? Mbase mund të jetë edhe kështu, si një mundësi e fundit fare tërheqjeje. Por nëse nuk është kështu, atëherë ngelet vetëm…vesi del me shpirtin! /Analizë nga ShkodraWeb/