
Pas aksidentit fatal në Kryebushat të Shkodrës ku humbën jetën dy gra dhe përfunduan në spital me dëmtime 5 persona të tjera, ka reaguar ish- deputetii PD Shkodër Bardh Spahia. Përmes një postimi në FB, Spahia denoncon duke thënë se në vendngjarje, ambulanca ka qenë pa mjek.
“AMBULANCA SHKON PA MJEK NE AKSIDENT! Keqardhje e ndjere per aksidentin e rende qe ndodhi ne Kryebushat te Shkodres! Si mjek jam i skandalizuar kur mesova se ambulanca kishte shkuar te japte ndihmen, pa asnje mjek! Nje papergjegjshmeri e tille kriminane deshmohet vetem nen qeverisjen e Rilindjes! Ndihma e menjehershme ne raste te tilla eshte jetike por kjo nuk kuptohet nga amatoret e perzgjedhur nga Rilindja! Si mund te luhet keshtu me jeten e njerezve! #ShtetiKaRene!”, shkruante Spahia.
Nuk ka vonuar edhe reagimi i Spitalit Rajonal Shkodër, që përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, hedh poshtë versionin e ngjarjes së dhënë nga ish- deputeti Spahia.
“Duke shprehur ngushellimet për 2 viktimat në aksidentin rrugor të ndodhur në Kryebushat, Spitali Rajonal Shkodër bën me dije si më poshtë:
Menjëherë pasi jemi njoftuar për aksidentin e ndodhur në Bushat rreth orës 15:00, dy ambulanca të spitalit Shkodër janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes së bashku me dy mjekë dhe infermierë.Dy persona kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa 5 të plagosur u transportuan në spitalin e Shkodrës, ku morën trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Një prej të plagosurve ka dalë nga spitali dhe 4 të plagosur ndodhen në kujdesin e mjekëve.”.