Ambasadori Sattler flet nga Razma: 4 vitet e ardhshme jane te rendesishme per Shqiperine

Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, nga zona turistike e Razmës në Malësi të Madhe, ka deklaruar se 4 vitet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë që ajo të ecë përpara. Sipas Sattler, kjo periudhë përbën një shans unik për të bërë detyrat e shtëpisë dhe për të plotësuar kushtet e kërkuara, në mënyrë që vendi të sigurojë mbështetjen që i duhet. “Katër vitet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, janë një shans i mirë për të ecur përpara, për të bërë detyrat e shtëpisë, për të plotësuar kushtet e kërkuara dhe ne pastaj do ta ndihmojmë me kënaqësi Shqipërinë. Austria është mbështetësja kryesore e Shqipërisë në rrugën e integrimit”, ka deklaruar Sattler. Këtë deklaratë ambasadori austriak e ka bërë gjatë një eventi ku së bashku me Shoqatën Shqiptare të Alpinizmit ishin në zonën turistike të Razmës për të promovuar turizmin malor në kuadër të projektit “Të rizbulojmë malet e Shqipërisë”.
Për të treguar që turizmi malor është prioritet që duhet mbështetur, Sattler tha se vetëm vitin që kaloi në Shqipëri ishin 25 mijë austriak, pikërisht për këto zona, e jo për detin.
“Turizmi është një nga sektorët kryesor për zhvillimin e vendit. Nga ajo çfarë kuptoj 10% e GDP mbërrin nga sektori i turizmit, ku pjesa më e madhe e të ardhurave sigurohen nga sezoni veror kryesisht nga bregdeti. Por ka edhe një mundësi të madhe për zhvillimin e turizmit malor prandaj ne jemi këtu për të rizbuluar malet e Shqipërisë. Prandaj vendi juaj ka një shans për zhvilluar edhe më shumë turizmin malor. Pjesa më e madhe e turistëve austriak, gjatë vitit të kaluar 25 000 të tillë, kanë ardhur për malet dhe jo për detin, sepse ato duan malet dhe Shqipëria ka një potencial për të treguar”, tha ambasadori.
Me projektin “Të rizbulojmë malet e Shqipërisë” ambasada Austriake synon jo vetëm sensibilizimin e banorëve dhe aktorëve lokalë për turizmin malor, por të ndërmarrë edhe disa nisma për promovimin e ecjes në mal, si një mjet për të zbuluar natyrën dhe për të mbajtur trupin dhe shpirtin e shëndetshëm