Aleancë kundër lajmeve të rreme…

Loading...

Lajmi i rremë po trondit botën. Vende të mëdha, të fuqishme dhe të rëndësishme, frikësohen prej tij. E konsiderojnë mes armiqve kryesorë, shkatërrues të shoqërive dhe strategjive shtetërore në të cilat është investuar shumë kohë dhe mund. Ne, vendet e vogla, duhet të bëjmë çmos që të vetëdijesohemi për domosdoshmërinë e punës së përbashkët kundër kësaj mbrapshtie globale.

Sepse të gjithë do ta pësojmë shumë keq. Për një kohë të gjatë në diskursin e letrave dhe mendimeve në opinion publik të Shqipërisë dhe Kosovës, pra në shkrimet dhe prezencën televizive të shumicës së kolegëve të mi, nuk ka pasur shumë shkronja dhe fjalë për mendjezgjuarit, për shpirtmirët, civilët, për ata që kanë pasur dhimbje. Fatkeqësisht, shkronjat kanë qenë në përdorim për hakmarrësit, trimat, për të pamëshirshmit, për të dhunshmit dhe intrigantët.

Kodet frymëhelmuese të politikës dhe mediave janë ndër bllokadat kryesore që i pengojnë mentalitetet me histori konflikti për t’i trajtuar realitetet e reja në mënyrë objektive. Me këtë rast po mundohem që të diskutoj për gjithçka që lexuesve u intereson, pa e fshehur kënaqësinë që mund të gjej një gjuhë argumentuese. Pres që kolegët të kontribuojnë që të ma sqarojnë mua dhe lexuesve perspektivën për shkaqet e gjithë asaj që na mundon dhe na ndan e na bashkon.

Edhe për faktin se dua ta diskutoj më gjerësisht kontekstin objektiv dhe analitik të vazhdimësisë së ndjenjave negative të artikujshkruesve. Dhe, të kundërtën. Në librin e mikut tim Migjenit, të titulluar “Carere Patria”, në të cilin analizohet rëndësia kulturore dhe sociale e gjuhës ndër shqiptarë, parafrazohet thënia e Konfuçit, e cila potencon se gjuha e pandryshuar është ajo që e bën të vështirë jetën civile.

“Kur Cu Lu (Tzu Lu) e pyeti Konfuçin: ‘Po të të ftonte duka i Ve-së (Wei) për ta udhëhequr vendin e tij, cilën masë do ta mirrje të parën?’, Maestro u përgjigj: ‘Reformën e gjuhës’”.

Reforma e gjuhës nuk është thjesht pjesë e gjuhës që politikanët përdorin – ajo është koncept, është mendje dhe refleks që lind nga ideja dhe projeksioni që dikush e quan vizion, e dikush tjetër projeksion i së ardhmes.

A ka përmbajtje të re gjuhësore në Kosovë dhe Shqipëri?

Ka një ndryshim në veprime. Ka një dimension më njerëzor të komunikimit me qytetarët. Por, ajo që ka mbetur pothuajse e pandryshuar është – gjuha. 27 vjet pas vitit 1991, që shënoi përfundimin apo fillimin, varësisht nga perspektiva, e një etape historike mes shqiptarëve, janë pothuajse të njëjtit njerëz dhe i njëjti fjalor që përcaktojnë komunikimin e politikanit me qytetarin.

Nëse i bëhet një analizë e përciptë e gjuhës që sot përdoret në media dhe përgjithësisht në opinion, konstatohet menjëherë se një reformë ka mbetur pa u bërë në Shqipëri, por në një masë edhe Kosovë. Ajo që Konfuçi do ta bënte të parën: reforma e gjuhës.

Fatkeqësisht, për këtë arsye nuk ka mundur të ndryshojë as koncepti i retorikës. Po të analizohet gjuha e politikanëve, gjuha e liderëve partiakë, gjuha e komentatorëve dhe analistëve, gjuha e gazetave dhe e gazetarëve, portaleve, vërtetohet me keqardhje po ai diskurs – diskursi pa ide dhe pa koncepte konstruktive, për të cilin fjalët s’janë asgjë tjetër veçse një shndërrim i kohës në kujtesë.

Shtrohet pyetja: a mund të ketë demokraci dhe sistem të ri të interaksioneve shoqërore me këtë gjuhë? Është dëshmuar që demokraci të re me gjuhë dhe diskurs të vjetër nuk bëhet. Sepse, me kualifikimet kuturu nuk behet demokracia, por ndërtohet rruga për rrënimin e saj.

Problemeve të mëhershme dhe të tashme u është gjetur shtrati i lajmeve të rreme. Ato kanë gjetur plleshmerinë e vet në diskursin shqiptar. Por me një sistem gjyqësor të rrënuar dhe të korruptuar a mund të bëhet reforma e kërkuar e Edi Ramës? Dyshoj. Por, një provë duhet bërë. Ky ligj nuk do ta frikojë askë nëse gjyqësori është i mësuar me idenë e rreme dhe më gjyqësorin që i shërben gënjeshtrës.

A mund të mbrohet ideja liberale dhe demokracia nga Qeveria e Ramës me një sistem gjyqësor të pareformuar? Po mundohem t’i sqaroj disa çështje. Mbrojtja e demokracisë, rendit liberal dhe shoqërisë funksionale në shoqërinë e sotme është gjithnjë e më shumë e bazuar në luftën kundër lajmit të rrejshëm sesa në luftëra kundër krimit dhe dhunës së përditshme.

Përhapja e mediave, dhe mbi të gjitha mediat sociale, po shfrytëzon dobësitë e shoqërive moderne duke i fuqizuar ndarjet dhe konfuzionin. Lajmi i rremë është një nga armët më të forta, më evazive dhe më të pakapshme të kësaj lufte ndaj demokracisë dhe shoqërisë funksionale. Përdor lojërat psikologjike dhe çështjet e identitetit për të ndikuar në zgjedhjet e njerëzve duke përhapur informacion të rremë, zemërim dhe frikë.

Zgjedhjet lokale dhe ato qendrore, zgjedhjet që vendosin të ardhmen e rendit botëror si zgjedhja e Presidentit të SHBA-ve apo votimit të Brexit – bëhen nga shumë prej qytetarëve që janë nën ndikimin e fortë por të pavetëdijshëm dhe të panumërt të informacionit të rremë dhe teorive të konspiracionit. Njerëzit po manipulohen nga versioni modern i propagandës dhe shumë shpesh nga forcat e huaja.

Shqipëria dhe Kosova nuk janë imune ndaj kësaj të keqeje të epokës moderne. Hapja jonë ndaj botës dhe diversiteti i opinionit publik gjithashtu është hapje edhe për lajmet e rreme që kanë të bëjnë me zgjedhjet e lira, rendit liberal dhe integritetit publik të shoqërisë sonë.

Në mënyrë që të qëndrojmë për vlerat demokratike të shoqërisë sonë dhe t’i mbrojmë opinionet e lira të qytetarëve tanë, ne duhet të qëndrojmë në këmbë kundër forcës shtrembëruese të përhapjes së lajmeve të rreme në Shqipëri dhe Kosovë.

Lajmi i rremë është luftë ndaj demokracisë: luftë propagandistike nga grupe të ndryshme interesi/forca të huaja që synojnë ndarjen e qytetarëve dhe minimin e besimit në institucione. Lajmi i rremë është destabilizim i shoqërisë duke shfrytëzuar sfidat e saj të brendshme. Lajmi i rremë është shoqëria e piraterisë duke përzgjedhur në mënyrë selektive dezinformimin në shënjestër dhe informimin e humbur në mediat sociale. Lajmi i rremë është mjet i padhunshëm për arritjen e qëllimeve të dhunshme, pikërisht në sajë të internetit dhe mediave sociale.

Rruga e rreme është mënyra e manipulimit të ndarjes publike, të mbjelljes së kaosit në politikë dhe në shoqëri.

Në Shqipëri të gjithë e kanë përdorur gënjeshtrën si formë komunikimi. Sepse kështu ka qenë më i lehtë manipulimi. Në Kosovë kjo është mundësuar nga politika me heqjen e dy neneve të rëndësishme nga Kodi Penal gjë që ka prodhuar dhjetëra portale me gjuhë të pakuptimtë dhe të poshtër.

Dhe derisa ambasadori amerikan thërriste të mos largoheshin këto nene sepse “nuk do ta gjenim fundin e së keqes”, në Shqipëri ekzistojnë nenet në kodin penal por askush s’ka gatishmëri për t’i respektuar.

Çfarë janë qëllimet me propozim-ligjin e Qeverisë Rama?

Për ta mbrojtur demokracinë, integritetin e rendit liberal dhe fjalën e lirë, për ta mbrojtur shoqërinë nga sulmet gjithnjë e më të sofistikuara kibernetike online në opinionet publike, apo është për të bërë një ligj jofunksional, që pastaj e bën shtetin jofunksional.

Edi Rama dhe qeveria e tij e kanë për detyrë ta luftojnë informacionin e rremë dhe ta sigurojnë integritetin e debatit publik, t’i mbrojnë mediat tradicionale dhe bashkëkohore nga përhapja e lajmeve të rreme që po kërcënon angazhimin gazetar për raportim objektiv dhe serioz.

Në këtë mënyrë e bëjnë sferën publike më pak të ekspozuar ndaj ndikimit të elementeve të huaja.

Ka plot shembuj që duhen përmendur:

– Rasti i Cambridge Analytica (ndërhyrja e grupeve të interesit tek votuesit në SHBA dhe Britani);

– Ndërhyrja ruse në zgjedhjet e SHBA;

– Maqedonia filloi shpërndarjen masive të lajmeve të rreme që ndikuan në debatin e mediave sociale gjatë zgjedhjeve të SHBA,

– Lufta propagandistike ruse që synon t’i ndikojë zgjedhjet dhe debatin politik në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnjë dhe Serbi.

A ka fuqi ky ligj që debatin e kafenesë, të kaluar në media, ta bëjë pjesë të proceseve gjyqësore?

Kjo është çështje që mbetet më shumë te gjyqësori i dobët sesa tek një ligj që mund të prodhojë respekt dhe reformë të gjuhës. Në të kundërtën, do të përballemi me vazhdimin e shantazheve dhe luftës së paguar ndaj njëri-tjetrit që mbaron në faqet e gazetave dhe portaleve, ose në zërat prej studiove që shajnë dhe nuk dënohen për sharje./Nga Baton HAXHIU, TemA/

Loading...