
Policia e Shkodrës ka arrestuar shoferin 74- vjeçar, i cili në drejtim të automjetit të tij, përplasi humoristin Nexhmedin Shabani, i cili po lëvizte me biçikletë. Uniformat blu njoftojnë se “është arrestuar “N. Xh., 74 vjeç, banues në Shkodër, pasi mbrëmë, në rrugën “Qemal Draçini”, duke drejtuar automjetin, ka përplasur biçikletën me të cilën po lëvizte shtetasi N. Sh., 74 vjeç. Si pasojë është dëmtuar shtetasi N. Sh., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, në kujdesin e mjekëve.”.
Po ashtu, në pranga është vënë edhe shtetasi B. B., 30 vjeç, banues në fshatin Aliaj, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-F. F., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër i është gjetur dhe sekuestruar një patentë shqiptare e dyshuar e falsifikuar;
-M. T., 53 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, pasi ka kallëzuar shtetasja V. T., 22 vjeçe, se gjatë viteve 2024 dhe 2025, ky shtetas ka shantazhuar atë dhe familjarët e saj, nëpërmjet adresave false në rrjete sociale.




