
Një aksident fatal ka ndodhur në aksin Fushë Krujë- Vorë pak para mesnatës së kaluar. Një makinë është përplasur me një betoniere dhe si pasojë kanë humbur jetën 4 persona.
Nga përplasja e fortë, makina ka shpërthyer në flakë dhe 4 të rinj janë djegur brenda. Burimet paraprake nga vendngjarja, bëjnë me dije se ‘Benzi’ ka goditur nga pas betonieren e cila ka qenë e parkuar.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe zjarrfikës nga Kamza por nuk është shmangur dot ngjarja fatale.
Tiranë/Informacion paraprak.
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.
Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi Enejdi Laçi, 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit Enejdi Laçi, 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç.
Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi Aleksandër Krrashi, 24 vjeç.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.