Natën e kaluar, në një debat televiziv, ministri i Turizmit Blendi Klosi deklaroi se aksi Qafë Thore- Theth është i hapur dhe funksional. Pavarësisht fotove që tregonin të kundërtën, pohimeve të kryebashkiakes Ademi se rruga ishte akoma e bllokuar, ministri Klosi këmbëngulte në të tijën. Duket se sot prefektja Angoni dhe shefi i Emergjencave Civile Haki Çako, e kanë nxjerrë blof Klosin, gjatë një inspektimi në rrugën, akoma të bllokuar.
“Së bashku me z. Haki Çako, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, inspektuam aksin rrugor Qafë Thorë–Theth, ende i bllokuar si pasojë e rreshjeve të dendura të dëborës.
Pas përpjekjeve të vazhdueshme nga Institucioni i Prefektit Qarku Shkoder, në vijim edhe të kërkesave të shumta të banorëve të zonës, nga sot pritet të ndërhyjnë struktura të shtuara të mbrojtjes civile të cilat do të vijojnë punën intensivisht deri në zhbllokimin e plotë të aksit në pak ditë.
Siç dihet ky segment ka qenë shumë problematik për shkak të specifikës gjeografike që ka dhe vështirësive që kanë sjellë reshjet e dendura të dëborës, erërat e forta, temperaturat deri -20 gradë dhe orteqet e shpeshta që jo rrallë herë kanë rrezikuar edhe jetën e strukturave nderhyrëse të ushtrisë dhe kompanisë që po zbaton projektin e rikonstruksionit të aksit rrugor.
Prefektura Shkodër, në bazë edhe të konsultimeve me banorët e zonës po lobon për kalimin e mirëmbajtjes së rrugës në varësi të Autoritetit Rrugor Shtetëror.”, shkruan prefektja Angoni në një publikim në Facebook.
Në fakt, mediat lokale por edhe ato kombëtare, vetëm dy ditë më parë evidentuan se rruga Qafë Thore- Theth mbetet akoma e bllokuar por mesa duket ky informacion nuk ka mbërritur akoma tek ministri i Turizmit Blendi Klosi, edhe pse ky lajm ka lidhje pikërisht me turizmin. Shpresojmë të lexojë publikimin e prefektes së Shkodrës Majlinda Angoni… /ShkodraWeb/