Marash Kumbulla një nga lojtarët më premtues të Shqipërisë, ka dhënë së fundmi një intervistë të gjatë për prestigjiozen Goal. Mbrojtësi i kombëtares ka prekur shumë tema, ndërsa thekson se i është dukur e çuditshme të luajë kundër Ronaldos, ndërsa shton se ende nuk e beson se në sezonin e ardhshëm do të luajë kundër Murinjos.
Ndeshja me kombëtaren kundër Uellsit– “Jam shumë i emocionuar, Uellsi ka lojtarë të talentuar dhe kjo është një ndeshje që do ta bëjë Shqipërinë të rritet. Mezi po pres të përballem me Bejl, jam gjithnjë i emocionuar kur përballem me kampionë të mëdhenj sepse më ndihmon të marr eksperiencë”.
Përballja me Dibalën, Lukakun dhe katër herë me Ronaldon– “Kur je në fushë nuk e mendon se po luan kundër tij sepse duhet të jesh i përqëndruar te ndeshja, më pas kur kupton është një ndjesi e çuditshme, por e bukur. Prej kur isha i vogël e kam parë të luajë me ekipet më të mira, kështu ishte e çuditshme por më bëri mirë”.
Transferimi te Roma- “Isha i nderuar sepse shumë skuadra të forta më kërkonin, por kur dëgjova për Romën vendosa menjëherë. Brenda disa orëve vendosa të nisesha për Romë dhe isha shumë i lumtur për këtë”.
Raporti me Fonsekën– “Kam një raport të mirë, sigurisht do të doja të luaja më shumë, por kur je në një skuadër me shumë lojtarë të talentuar atëherë është e vështirë ndonjëherë të gjesh hapësira”.
Shok me Smolling– “Flas anglisht me të sepse nuk më kupton shumë në italisht. Ka treguar se është një lojtar me shumë eksperiencë, kam mësuar shumë prej tij. Më shumë kam mësuar duke e parë se sa nga fjalët, si brenda fushës ashtu edhe jashtë saj”.
Trajneri i ri, Murinjo– “Akoma nuk e besoj, është një ëndërr të trajnohesh nga ai. Do të jetë një arsye më shumë për t’u rritur dhe përmirësuar. Nuk kam folur ende me të, por e di që do ta bëj kur të mbërrijë në Romë. Do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Gjëja më e rëndësishme që Murinjo do të sjellë te Roma është mentaliteti fitues. Të gjithë e dinë që ai ka fituar diçka kudo ka shkuar. Do të mësoj nga ana taktike dhe teknike, por më e rëndësishmja është mentaliteti fitues”, u shpreh Kumbulla. /VipSport/