“Ajo që ndodhi në Shkodër, këmbanë alarmi”, Lulzim Basha për pandeminë: Njerëz me simptoma, nuk testohen

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, me shifrat e raportuara zyrtarisht të të infektuarve, e domosdoshme është të bëhen sa më shumë testime për të parandaluar përhapjen e korona virusit. Në një intervistë me Abcnews, lideri i demokratëve tha se është e rëndësishme të testohen personat e dyshuar, stafi mjekësor, policët, njerëzit që janë në shërbim.


“Kam informacione që njerëz me simptoma nuk testohen. Në zona të veçanta numri i testeve është i pakët. Duhet të shohim çfarë ndodhi në Shkodër, u testuar 15 persona dhe 12 prej tyre rezultuan të prekur. Kjo është këmbanë alarmi. E gjithë sakrifica që po bëhet sot, do të shkojë dëm nëse nuk bëhen testime. Sa më pak testime të bëhen aq më gjatë do të jetë edhe periudha e karantinimit.

Duhet të testohet gjurmohet personi, këto janë kërkesa të ekspertëve. Ne duhet të paktën të ngrihemi, të paktën në nivelin e Maqedonisë. Numri i viktimave dhe i personave të prekur është më i lartë se ai që raportohet.”.

Keni informacione apo është një analizë e juaja?

Të dyja. Kemi raportime nga njerëzit tanë në terren të njerëzve që kanë ndërruar jetë dhe të afërmit dyshojnë se kanë lidhje me pandeminë. Ky fenomen është edhe në botë, por ka një transparencë. Më shumë testime do të thotë, ndërprerje e zinxhirit të infeksionit, rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë, dhe qëndrim më të pakët në shtëpi.