Vllaznia e viteve ’80 në mundjen e lirë ka qenë një ndër ekipe model, një nga ato ekipe që jo vetëm fitonte gjithçka por ishte i veçantë edhe për nga harmonia që ekzistonte brenda tij. Pjesë e atij ekipi kanë qenë kampionë të mëdhenj të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti.
Një ndër ta është edhe Agustin Mhilli, njeriu që në peshën 74 kilogramë për 5 vite me rradhë ka dominuar në tapetin shqiptar duke u shpallë kampion i padiskutueshëm.
Fitues edhe i dy medaljeve të arta në Spartakiadat Kombëtare por dhe i disa kupave si dhe është mbajtës i titullit “Mjeshtër Sporti”. Ai prej vitesh jeton në Belgjikë dhe sa herë që kthehet në Shkodër, kujton me nostalgji ato vite të sportit.
E ka bërë këtë gjë edhe në një rrëfim për “Shkodra Sport” kur shprehet: “Kanë qenë vite të bukura, më kanë dhuruar shumë kënaqësi dhe vërtetë që më kënaqësi ishte të qëndroja me shokët e ekipit sesa ndoshta edhe me pjestarët e familjes”.
Kush është Agustin Mhilli?
Ka lindur në Shkodër më 29 shtator të vitit 1963. E ka filluar sportin në vitin 1977 dhe ndoshta rastësisht e nis nga mundja. Duke qenë se shtëpinë e kishte pranë Pallatit të Sportit (Sot Katedralja) ai ndiqte me interes përveç mundjes edhe sportet e volejbollit apo dhe të basketbollit.
Por për koinçidencë, një ditë teksa shihte me vëmendje një stërvitje të mundësve të Vllaznisë, është trajneri Xhevdet Elbasani që e pikas për mënyrën si e vështron stërvitjen dhe e fton të vijë edhe ai në
tapet.
Agustini e kujton edhe sot me shumë nostalgji atë ditë. “Nëse nuk do ishte ajo ftesë e profesor Xhodës për t’u marrë me mundje, ndoshta mund të isha bërë edhe volejbollist, basketbollist apo ndonjë sportist tjetër.
E sigurtë është që do merresha me një sport ngaqë isha rritur në ambjentet e pallatit të sportit por fati më çoi tek mundja dhe jam i lumtur që ndodhi kështu”- shpjegon ai. Për disa kohë shkon në stërvitje pa e marrë vesh i ati sepse kishte frikë sesi do e priste një gjë të tillë por në fund edhe kjo merret vesh dhe në fakt nuk ndodh asgjë.
Thjesht këshillat e prindit për t’u treguar i kujdesshëm sepse ishte një sportist i egër dhe i fortë. Karriera e kampionit të ardhshëm nis në këtë mënyrë me vrull.
Pas pak kohësh, do të merrte pjesë në një kampionat pionerësh që zhvillohej në Dibër dhe menjëherë vend i parë. Një tregues se kishim të bënim me një sportist të perspektivës. Vazhdon të punojë më pas me trajner Gjon Lekën dhe në një periudhë të shkurtër edhe me Ali Murrizin.
Me të rinjtë shpallet dy vjet rresht kampion dhe në moshën 16 vjeçare kalon me të rriturit. Një kënaqësi e madhe sepse do bëhej pjesë e një brezi të mrekullueshëm sportistësh. “U realizua një ëndërr e madhe e imja. Do isha pjesë e një ekipi të mrekullueshëm dhe kjo më bëri të lumtur”- thotë Agustini ose “Gusti” siç e thërrasin shokët dhe miqtë e tij.
Karriera
Kalimi me ekipin e të rriturve do ta formonte edhe më shumë si sportist dhe në vitin 1984 do të vinte momenti i tij. Me ekipin e parë që drejtohet nga i mirënjohuri Eljaz Ahmeti, do të fitonte përvojën e duhur.
Në vitin 1986 do të fitonte të parin titull kampion në peshën 74 kg dhe ky titull do të pasohej nga katër të tjerë rradhazi, i fundit në vitin 1990. Në total pesë tituj kampion si individ ndërkohë që pas të tretit, në janar të vitit 1989 iu akordua titulli “Mjeshtër Sporti”.
Agustin Mhilli ka fituar medaljet e arta në dy Spartakiada Kombëtare, në vitet 1984 dhe 1984. Po ashtu ka fituar edhe disa Kupa dhe trofe të tjera.
Kampioni i Vllaznisë do të grumbullohej disa herë në kombëtare në ato vite për aktivitetet ndërkombëtare që do të zhvilloheshin në Shqipëri sepse jashtë nuk ka dalë asnjëherë. Ndër kundërshtarët më të fortë, Agustin Mhilli përmend Ibrahim Kovaçin e Kukësit.
Ndërsa ndeshja që i ka mbetur në mend dhe që ai e konsideron më të bukurën është ajo ndaj Haxhi Danit të Korabit të Peshkopisë ndërsa si rival të fortë përmend edhe Polikron Koroveshin, me të cilin ka konkurruar në fillimet e karrierës së tij dhe e ka mundur duke e çuar më pas drejt lënies së karrierës.
Vllaznia e viteve ’80
“Ekipi i mundjes së lirë i Vllaznisë në vitet ’80 ka qenë më i mirë jo vetëm në historinë e këtij sporti në Shkodër por edhe në Shqipëri por pse jo edhe në të gjitha llojet e sporteve. Një ekip shumë i lidhur me njëri- tjetrin.
Mjafton të shikoje një kampionat apo një kupë dhe e kuptoje qartë këtë gjë. Nëse ishte një mundës i Vllaznisë në tapet duke u ndeshur, të gjithë shokët e ekipit ishin pranë duke e mbështetur. Kemi fituar shumë tituj kampion apo kupa vetëm prej kësaj harmonie.
Të gjithë kampionë të mëdhenj, me një trajner të madh si Eljaz Ahmeti. Ruaj mbresat më të mrekullueshme nga gjithë ato vite, të cilat janë më të bukurat e jetës time”- thotë “Mjeshtri i Sportit” Agustin Mhilli.
Karriera si trajner
Me ngjarjet e fillimit të viteve ’90 vendos ta lërë sportin, në një moshë shumë të re, vetëm 27 vjeç. Kishte shumë për të dhënë megjithatë merr vendimin për t’u larguar. Por edhe ekipi i mundjes thuajse u shkri në atë periudhë.
Drejtuesit e klubit i kërkojnë Agustin Mhillit të bëhet ai trajner i ekipit të mundjes dhe ai e pranon. Në mungesë të një palestre ngaqë ajo ekzistuesja tek pallati i sportit nuk ekzistonte më, mundohet ta mbajë në këmbë ekipin dhe për një vit i stërvit pjestarët e tij duke vrapuar nëpër shkallët e stadiumit, por kjo gjë nuk vazhdon gjatë. Vendos të tërhiqet, duke i lënë stafetën një tjetër kampioni si Dedë Bregu.
I lumtur nga zgjedhja
Ka nga ata që pendohen për zgjedhjet e bëra në jetë. Për më tepër që mund të mos kenë përfituar gjë financiarisht. Por për protagonistin e këtij shkrimi, nuk është kështu. “Nuk jam penduar asnjëherë që zgjodha rrugën për t’u bërë mundës dhe që u mora me sport. Aty kam kaluar vitet më të bukura të jetës time, më kanë dhuruar emocionet më të mëdha dhe nuk ka pse të kem ndonjë pishman”- thotë ish-kampioni Mhilli.
Kampionë si Agustin Mhilli sigurisht që meritojnë më shumë vëmendje.Karriera e tij sportive ka lënë gjurmë në historinë e këtij sporti, pavarësisht se askush prej 28 vitesh nuk është kujtuar për t’i bërë ndonjë nderim. /Nga Gjergj KOLA/