Agjencia e Donacioneve ose një “vend pëllumbash” nga Rama për deputetin e munguar të Shkodrës Ilir Beqaj…

Nga Klodian TOMORRI, gazetar

Shqetësimi se qeveria po krijon ministri propagande është i kotë. E gjithë qeveria, që në ditën e parë të saj, ka qenë një ministri e madhe propagande. Gjithsesi Agjencia e Propagandës është e padëmshme se ti ke mundësi ta luftosh me media.


Ajo që është e dëmshme, dhe që nuk ka kurë, është agjencia tjetër që po bëhet gati. Shumë shpejt qeveria do të krijojë Agjencinë e Donacioneve. Agjencia e Donacioneve do të administrojë të gjithë fondet e huaja të buxhetit dhe kryetar i saj flitet se do të jetë Ilir Beqja. Me pak fjalë do të krijohet një xhep i madh ekstrabuxhetor gati 1 miliard euro në vit, i cili do të shpenzohet jashtë disiplinës financiare dhe ligjeve të buxhetit. Kjo është çmenduri.

Shqipëria do të ketë dy ministri financash. Një ministri që menaxhon fondet e brendshme të buxhetit dhe një agjenci, që menaxhon fondet nga jashtë. Meqë po mbaron xhepi i rindërtimit, tani duhet krijuar një xhep i ri për të kanalizuar fondet me eficencë dhe pa siklete aty ku duhen.