
Në njoftimin e vetëm që Policia e Shtetit dha për grabitjen e ndodhur në aeroportin “Nënë Tereza”, shprehej se një nga autorët kishte Humbur ketën gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë.
“Pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’ në Rinas, dyshohet se disa persona, ende të paidentifikuar, me maska dhe arm, pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar. Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH-së dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes”, thuhej në njoftimin e Policisë më datë 9 prill. Por edhe pse ky ishte një version zyrtar, ish-drejtues Policie, por edhe analistë të ndryshëm, hodhën dyshime se Admir Murataj mund të mos ishte vrarë nga Policia, duke drejtuar gishtin nga bashkëpunëtorët e tij.
Edhe vëllai i tij, gjatë një prononcimi për mediat pas identifikimit të trupit në morg, i pyetur nga gazetarët nëse ka dijeni se si ka ndodhur vrasja, nëse e kishte vrarë Policia apo shokët e tij, nuk mundi të jepte një përgjigje konkrete.
“Nuk kemi asgjë të saktë deri tani. Dimë që thonë se e kanë hedhur shokët e vetë aty dhe kaq”, u shpreh ai. Megjithatë, do të jetë ekspertiza balistike, që do të përcaktojë saktësisht autorësinë e vrasjes. Pritet ekzaminimi i predhës për të mësuar se nga çfarë arme ka dalë.