
GJKKO ka zbardhur vendimin e së mërkurës për masat e sigurisë ndaj 24 të akuzuarve për abuzime me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Sipas vendimit të marrë nga trupa e gjyqtarëve, GJKKO nuk ka ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Edmond Tërthorja i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Gjithashtu u la në fuqi masa “arrest me burg” për Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja dhe Altin Murto.
GJKKO vendosi gjithashtu vazhdimin e masës “arrest në shtëpi” për personin në hetim Agim Sefa, Radion Dhromi dhe Artur Koleci, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, duke urdhëruar këtë person të mos largohet nga banesa e tij. Masa “arrest në shtëpi” nuk ka ndryshuar dhe për Arjan Buliqi.
Ndërsa për personat nën hetim Serafin Skënderi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Ilir Kusi, Azem Parllaku dhe Dritan Laçi u zëvendësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje”.
GJKKO vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” ndaj personave në hetim Enkeleda Sallakut, Ilir Kapaj, Klea Lekocaj, Etleva Shore, Bejo Bizhga, Romina Koto, Erjola Kopali, Rezearta Dervishi dhe Klara Jahollari si të dyshuara për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.