“A je në metro”, ooo Edi?”, reagon njëri nga koalicionet shqiptare në Malin e Zi: Si person është një hiç i madh

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes ER TV na e paska përkrahur “Listën Shqiptare” në zgjedhjet e 30 gushtit. Shikuam në ER TV dhe na qenka e vërtetë. Përkrahja për njërën listë, pra, për njërin koalicion pa e përmendur edhe koalicionin tjetër po ashtu shqiptar nuk është as më shumë e as më pak se turp, jo për Edin si person, sepse si person është një hiç i madh, por është turp për Edin si Kryeministër i shtetit amë, i cili e ka pasur obligim kushtetues që të bëjë presion që këto dy lista të bashkohen në një, e që nuk e ka marrë as mundimin më të vogël në këtë drejtim.


Për më tepër e ka pasur edhe obligim moral e njerëzor një angazhim për bashkimin e faktorit politik shqiptar në një listë të vetme për zgjedhjet e 30 gushtit në Mal të Zi sepse ai me përkrahjen e të gjitha subjekteve shqiptare është shpallur “Qytetar nderi” i Ulqinit, titull që pikërisht ky personazh më së paku e meriton. Përkrahjen e Edi Ramës e shohim më shumë si të porositur, e cila i përshkallëzon përçarjet edhe ashtu të dukshme jo vetëm te partitë shqiptare, por edhe te vetë shqiptarët në Mal të Zi.

Për dreq, ky nuk e lë me kaq, por tashmë nuk përkrahën asnjërën nga listat shqiptare, por përkrahën “Mikun” e tij Gjukanoviq, kurse shqiptarëve u bënë thirrje që të votojnë Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit. Shtrohet pyetja pse Edi Rama u bënë thirrje shqiptarëve që të votojnë PDS? Lojërat e Ramës me Vuçiqin e kanë dëmtuar shumë Kosovën. Jashtëzakonisht shumë.

Mos vallë edhe këto lojërat me Gjukanoviqin shkojnë kryesisht, ndoshta edhe krejtësisht në dëm të shqiptarëve në Mal të Zi? Fitohet përshtypja që po dhe realisht kështu është. Lojëra të pista politike në kurriz të shqiptarëve, e qëllimi kryesor ruajtja e pozitës së vet. E gjitha kjo nuk përfundon me kaq, por ai angazhon edhe ushtruesin e detyrës së ministrit të jashtëm që së bashku me ministren e jashtme të Kosovës të dalin me përkrahje për një listë. Kësaj paçavureje të orkestruar nuk mund t’i mungojë as Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi (poashtu qytetar nderi i Ulqinit) edhe i ndonjë tjetri të pa peshë në politikë.

Të gjithë këta sa u përmendën, e që përkrahin me porosi një listë, nuk kanë thënë e as bërë ndonjë vepër të re, por vetëm e kanë vazhduar veprimtarinë e tyre antikombëtare. Të gjithë këta, në vende normale, kohë normale dhe njerëz normal do duhej që t’u bëjnë thirrje shqiptarëve të partisë së Gjukanoviqit dhe atyre të partive “qytetare” që të votojnë listat shqiptare. Nga partia në pushtet në Mal të Zi, shqiptarët vetëm kanë pasur humbje, ekonomike, politike, e ç’është edhe më keq, humbje kombëtare. Esat Pashai i shekullit XXI i fton shqiptarët të braktisin kërkesat e tyre legjitime në trojet e tyre etnike dhe të votojnë për “mikun” e tij, përkatësisht partinë e “mikut” të tij.

Për të mos e zgjatur më shumë me dallkaukë të tillë të porositur, sepse nuk ia vlenë aspak të humbet kohë me ta, nuk mund të kalojmë pa e përmendur prononcimin e Kryetarit të PD z. Lulzim Basha dhe atë të z. Besnik Mustafaj. Prononcime shumë reale dhe mbi të gjitha të balancuara.

Sikur ne të ishim bartës i listës të cilën e përkrahin: Erjon Veliaj, Pandeli Majko, Hashim Thaci e Edi Rama sinqerisht do të ndjeheshim të fyer dhe do të distancoheshim menjëherë nga përkrahja e tillë. Një përkrahje e tillë nga nëntoka shqiptare nuk i bënë aspak nder asnjërës listë shqiptare. /Lidhja Demokratike në Mal të Zi/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!