Raporto TI

A do vinte apo jo Rama sot në Shkodër? Pse u fry kaq shumë kjo vizitë që nuk ndodhi…?!

Nga Blerti DELIJA

Prej disa orësh, mediat janë ngërthyer në “temën e ditës”: A e anulloi apo jo Edi Rama vizitën e tij në Shkodër? Pyetja “po mundon” shumë kënd dhe jo vetëm në rradhët e politikës. Përgjigja nuk është e zorshme të gjendet. Ka disa argumente shumë të forta që Rama sot duhej të ishte në Shkodër për Panairin e parë të punës dhe jo vetëm.

E para, prej disa javësh shkolla e mesme profesionale “Arben Broci” po bënte përgatitjet pikërisht për këtë vizitë. Madje, drejtuesit e kësaj shkolle që do të vizitonte kryeministri, deri në orët e vona të së premtes, e dinte se Rama do të ishte mysafir.

E dyta, burime nga dega e PS-së Shkodër e kanë konfirmuar këtë vizitë, e cila do të shërbente dhe për një takim “unifikues” të grupimeve të përçara brenda selisë rozë këtu. Madje, ishin marrë të gjitha masat për suksesin e vizitës.

E treta, ditën e djeshme, u shpërnda një axhendë nga Kryeministria, ku tregoheshin edhe etapat e vizitës së Ramës në Shkodër. Kjo nga mediat e Tiranës, u shpërnda edhe tek gazatarët lokalë të Shkodrës.

E katërta, deri në orën 09.30 në rrugët e Shkodrës kishte një prani të shtuar të forcave të policisë dhe bllokim rrugësh nga ku duhej të kalonte kryeministri. Një bllokim i tillë ndodh vetëm në raste të vizitave të nivelit të lartë si presidenti dhe kryeministri. Edhe vetë uniformat blu e kanë marrë vesh mëngjesin e sotëm që Rama nuk do të vizitonte Shkodrën.

Pyetja që mbase pret një përgjigje është: Pse e anulloi Rama vizitën në Shkodër?

Për hir të realitetit, anullimi i vizitës së Ramës në Shkodër është mësuar rreth orës 20.00 të ditës së premte. Por duke ditur natyrën e paparashikueshme të kryeministrit, askush nuk guxonte ta konfirmonte mungesën.

Ditën e sotme në Shkodër ishte paralajmëruar një protestë e organizuar nga PD-ja lokale. E vështirë të besohet se Rama e anulloi vizitën për shkak të kësaj proteste, aq më shumë kur aktiviteti kryesor ishte mjaft larg shkollës që do të vizitonte ai paraditen e sotme. Duhet thënë se “pritja” që mendohej për Ramën ishte me vezë, të cilat u shpërthiqën në mungesë të tij mbi muret e Prefekturës së Shkodrës.

Në Facebook Rama publikoi një status, i cili përveç dashurisë (së natyrshme) të djalit për nënën e tij, synonte të jepte një motiv pse kryeministri mungoi sot në Shkodër: Terheqja e një diplome në emër të nënës së tij, e cila e kishte të pamundur të ishte e pranishme në ceremoninë e Vlorës. Natyrisht, edhe kjo arsye e publikuar nga Rama, nuk është aq e fortë për të justifikuar anullimin e vizitës në Shkodër. Aq më tepër, kur “justifikimi” i Ramës bie ndesh disi edhe me “poncpilatizmin” e Kryeministrisë, e cila nxitoi të përgenjeshtrojë se “kryeministri nuk e kishte planifikuar vizitën në Shkodër sot, por ishte shpikje e PD-së”.

Ateherë çfarë ka ndodhur? E vështirë të jepet një përgjigje. Edi Rama u tremb nga protesta e PD-së? Edi Rama anulloi Shkodrën në emër të dashurisë për nënën e tij? Apo ai dinte diçka që ne nuk e dinim se do të ndodhte në Shkodër nëse do të vinte? Por sot kryeministri krijoi një precedent: Nuk mund të hyjë më serbes- serbes në Shkodër dhe ti bjerë cep më cep qytetit më të madh verior… Pas indiferentizmit të tij dhe qeverisë gjatë përmbytjeve në Nënshkodër, Rama po demostron një “ftohje” ndaj Shkodrës. Para tij, për disa vite e provoi edhe Fatos Nano, edhe ai kryeministër socialist i vendit! ©ShkodraWeb

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *