
Nga Blerti DELIJA
Nesër do të jetë e vështirë të udhëtohet drejt Tiranës. Sidomos nëse ke ndonjë hall apo telash që duhet të zgjidhësh. Pritet që drejt kryeqëtetit të udhëtojnë mijëra makina për të dërguar atje pjesëmarrësit e protestës opozitare të 27 janarit. Një “lojë” e zgjuar e mazhorancës ka sjellë në vëmendje programin mësimor të shkollave, të cilat ditët e shtune duhet ti shfrytëzojnë për ekskursione me qëllime edukative. Këeshtu që, thuajse të gjithë autobusët janë bërë të padisponueshëm për të dërguar protestues në Tiranë. Ata pak të mbetur, duhet të bëjnë mire llogaritë me licencat apo edhe me gjendjen teknike të mjeteve sepse siç ndodh rëndom në Shqipëri…do të “skedohen”. Sidomos nëse do të vihen në dispozicion të protestës.
Ajo çfarë mendoj se e dallon këtë protestë të pritshme nga të tjerat deri tani, është krijimi I një fare fryme. Ndoshta ka ndikuar bashkëpunimi i të djathtës me një segment të së majtës siç është LSI. Ka patur disa përsonazhe këto ditë, që kanë ndikuar ta zbehin paksa frymën partiake të protestës. Të parin do të evidentoja Astrit Patozin. Pavarësisht se kundërshtar i rreptë i Lulzim Bashës në PD, ai e ka thënë publikisht se do të jetë në protestë me 27 janar. Patozi rreshtohet si pjesë e “popullit opozitar”, por duke mos u identifikuar shumë politikisht. Nga ana tjetër, deklarimi i tij është në frymën e bashkëpunimit PD-LSI, që përtej akuzave dhe sulmeve deri me 25 qershor 2017, kanë zgjedhur të harrojnë kontradiktat politike përballë një “të keqeje” më të madhe.
Kjo frymë duket se ka kaluar edhe përtej “kufijve” të opozitës së madhe por edhe asaj të vogël të LSI. Pjesëmarrës në protestë janë deklaruar e po deklarohen edhe individë jashtë këtyre kampeve. Madje, edhe një i majtë socialist si Apollon Baçe rreshtohet pro pjesëmarrjes.
Në fakt Basha, por edhe Kryemadhi rrugës bënë një ridimensionim të arsyeve madhore që detyrojnë organizimin e protestës. U nis nga akuzat për uzurpim të shtetit, kapje të drejtsisë me emërimin e prokurores së re, por sot temë kryesore është rrënimi ekonomik i vendit, varfëria e qytetarëve, emigracioni klandestin etj. Ketë tema duket se kanë ngjitur në opinionin publik, ndërsa “prova” mbetet 27 janari.
Pak orë para 27 janarit një nga gazetarët më të njohur në vend, Blendi Fevziu i dha edhe një motiv më shumë protestuesve opozitarë. “Nese nuk hapen negociatat këtë vit, qeveria do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme”, deklaroi. Me protestën e 27 janarit, me rrezimin në kuvend të KLGJ dhe KLP nga opozita dhe nëse do të ketë një “valë” protestash njëra pas tjetrës, është e sigurte se negociatat me BE nuk do të mund të hapen.
Nga viti 2013 kur Basha erdhi në krye të opozitës së madhe, ai nuk ka qënë asnjëherë me i fortë politikisht, nuk ka ngjallur asnjëherë më shumë frymë se sa në prag të 27 janarit. Por a do ti përgjigjen edhe me numra shqiptarët? “Guri i provës” është e shtuna e nesërme. Nëse protesta kalon “kufijtë” e opozitës, qeveria Rama nuk do ta ketë të lehtë mbylljen e mandatit. E nëse “populli opozitar” nuk do të ndjekë pas në shesh Bashën, këtij i mbetet një rrugë: Të nisë konkurrencen mediatike me ERTV duke krijuar edhe ai një LBTV në Facebook! Sepse virtualja ka mundur realen, iPhone ka mundur copën e bukës!