“50 me 50 e quaj përsëri kualifikimin”, pas barazimit në Shkodër, Josa nuk dorëzohet: Do gjejmë mënyrën ti sulmojmë

Mirel Josa mendon se kualifikimi i Vllaznisë mbetet i hapur, edhe pse Universitatea Kraiova është një ekip me shumë cilësi. Trajneri i Vllaznisë deklaroi para mediave pas barazimit 1-1 se gjithçka mbetej e hapur për sfidën e kthimit, teksa sqaroi disa nga zgjedhjet e tij gjatë ndeshjes së parë.

“Unë thashë para ndeshjes që në futboll janë tre rezultate, por duhet të kapim lojën në fragmentet që u zhvillua. Mund të themi që në pjesën e parë nuk bëmë mirë për faktin se i jepnim të drejtë kundërshtarit në mënyrën se si ne kur zotëronim topin shkonim në pozicione fillestare dhe i jepnim mundësinë të na presonte lart. Pavarësisht se goli erdhi nga penalltia nga një sulm në krah, kishte edhe raste të tjera ku kundërshtari ishte i rrezikshëm. Ne na munguan pikat e referimit, kur topi qarkullohej, shkonte te Zogoviç dhe mbrojtësit, sa shkonte në mesfushë, kishim një shuajtje që nuk duhet të ndodhte. Duhej të kishim pika referimi më të mira të sulmit. Në pjesën e dytë i dha skuadrës më tepër frymëmarrje e qetësi, si në qarkullim, edhe në kthimin e topit të shpejtë.


Nuk ishte Vllaznia e frikësuar, e dinim nivelin e tyre dhe e kam parë, e kam parë në miqësore dhe në kampionat tani. Zhvillon një lojë pothuajse të njëjtë, por këtu bëri presing më tepër dhe ia lejuam ne ta bënte.

Ne do të shkojmë të luajmë futboll, të jemi shumë të kujdesshëm. Nuk kemi shumë gjëra për të ndryshuar se është brenda javës, as gjendja fizike, thjesht duhet të freskojmë skuadrën se fusim edhe udhëtimin që kemi për të bërë brenda. Por unë, për mendimin tim, pavarësisht lojës që u bë sot, unë përsëri një ndeshje futbolli nuk e quaj të mbaruar pa mbaruar 90 minutëshi, pavarësisht se është ekip i mirë. Unë them që do shkojmë atje me pretendimin jo vetëm për të qëndruar në mbrojtje, por të rregullojmë sesbën gjërat që thashë më para.

Një skuadër vepron në bazë të kundërshtarit dhe në bazë të forcave që ka. Unë, duke filluar që nga lojtari i fundit që u fut, Alivoda, përsëri jam i kënaqur nga të gjithë. Kemi gjëra për të rikuperuar, kemi gjëra që unë kam besim që lojtarët do t’i rikuperojnë dhe nuk them vetëm për ndeshjen e kthimit por edhe vazhdimësinë e kampionatit. Keni parasysh që kemi kundërshtar shumë më të freskët dhe pastaj në të dytën kundërshtari gaboi shumë më tepër, ne rregulluam pikat e referimit që të dilnim para, kjo na bëri të ishim më të qetë. Por përsëri nuk mund të them nëse jam i kënaqur apo jo me zgjedhjet, mua më intereson si vepron skuadra në grup, nga çdo ndeshje nxjerr konkluzione sa i përket vazhdimësisë.

Unë 50 me 50 e quaj përsëri kualifikimin dhe e quaj kështu se futbolli ju e dini, nuk ka siguri kurrë. Në të gjitha sportet, vetëm në ato individuale mund të kesh siguri më tepër. Do të shkojmë jo vetëm për të qëndruar në mbrojtje se një skuadër nuk mund të ruajë një rezultat kështu, duhet të sulmojmë me më shumë shpejtësi dhe arsye kundërshtarin.

Nëse do të luante Vulaj, do të ndërronte komplet sistemi i lojës dhe rreshtimi në fushë. Në ato momente, një trajner nuk mendon për të kthyer rezultatin por të mos pësojë të keqen nga mbrapa. Pastaj Vulaj mori edhe karton të verdhë nuk mund të fusja një me të verdhë në fushë, ishim me dy me të verdhë në fushën e lojës dhe nuk doja të mbeteshim në inferioritet. Problemi kryesor është që çdo lojtar, qoftë i ri, qoftë i vjetër, e fus në lojë se e meriton. Alivoda e meritonte për atë që më ka dhënë në stërvitje se e meriton. Çfarë prisnit më shumë nga Boshnjaku?! Kishim pika të tjera për të rregulluar.

Ndryshimet në formacion do ti bëj në bazë të gjendjes fizike të lotjarëve. Edhe Latifi për një javë nuk është përsëri në gjendjen që duam ne të vijë Latifi.

Kaina bëri punën që i thanë, Aralica duhej të bënte punë më mirë. Sa i përket atyre që do të afrojmë, ka edhe një muaj kohë, një muaj më shumë, ndaj të shohim. Se unë nuk punoj vetëm për ndeshjet e Europës, por edhe vazhdimësinë e kampionatit.

Kush ka presion? Vllaznia se shkojmë në një fushë kundërshtare. Por edhe mos kujtoni se do të jenë ata pa frikë se e thashë që do të gjejmë mënyrën që t’i sulmojmë”, tha Josa.