
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë edhe 34 ditë afat deputetëve të Kuvendit të Republikës nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit.
Kushtetuesja njëzëri sot ka vendosur të deklarojë të pranueshme kërkesat e bashkuara në rastet e parashtruara nga kryeministri, Albin Kurti, në emër të Qeverisë dhe kërkesës së parashtruar nga Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës.
Gjykata ka konstatuar se dekreti i presidentes që mban datën 6 mars nuk prodhon asnjë efekt juridik.
“Të konstatojë që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Por, nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit brenda këtij afati, Kushtetuesja thotë se Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
“Të konstatojë se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu Kushtetuesja konstaton se që vendimi për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi. Kushtetuesja ka konstatuar në fund se Akgjykimi hyn në fuqi menjëherë.
Ndërkohë, Presidenca e Republikës së Kosovës nëpërmjet një reagimi ka thënë se e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se sipas kësaj gjykate, presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese me dekretin e saj.
“Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e presidencës.
Më tej në reagim thuhet se dhënia e afatit shtesë për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, nuk ka qenë kompetencë e presidentes Vjosa Osmani. Sipas tyre, pikërisht dekreti i Osmanit i ka hapur rrugë këtij sqarimi nga ana e gjykatës.
“Deklaratat politike për kinse shkelje kushtetuese tregojnë edhe keqlexim të aktgjykimit, por edhe politizim të skajshëm të një situate tashmë të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese: që dështimi për zgjedhjen e Presidentit të vendit është i deputetëve dhe si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së Presidentit”, vazhdon reagimi.
Presidenca e Kosovës vazhdon duke thënë se gjykata ka potencuar se s’është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve.
Presidenca gjithashtu u ka bërë thirrje deputetëve që qysh nesër të thirrin seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.




