Ja erdhi dhe shkoi edhe 30 qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar. Gjatë viteve, nëpërmjet shkrimeve modeste, jam përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq – mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura, në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demokracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura. Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time. Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips. Në qoftë se këto fjalë të mia mund t’iu duken pakëz si të ashpra, iu kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Kombin e vet, dhe që mendon dhe beson, se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë – meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos reagimet e diasporës e, sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjendjen e krijuar në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjendje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakata në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?! /Nga Frank SHKRELI, ish- drejtor për EuroAzinë në Zërin e Amerikës/