30 parti behen bllok: Reforma zgjedhore jo pazar ne mes PD dhe PS

Krerët e 30 partive të vogla joparlamentare kanë krijuar frontin e bashkuar të partive politike opozitare, me synim realizimin e Reformës Zgjedhore.
Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PAA-së, Agron Duka, kryetari i PDSsë, Paskal Milo, kreu i Partisë së re Zgjidhja, Koço Kokëdhima, Sazan Guri etj. Në deklaratën e përbashkët, krerët e partive të vogla kërkojnë që procesi i Reformës Zgjedhore të udhëhiqet nga OSBE-ja dhe të përfundojë brenda marsit 2018.
Sipas tyre, partitë e mëdha duhet të heqin dorë nga administrimi i zgjedhjeve, Kodi i ri Zgjedhor duhet të garantojë identifikimin biometrik të zgjedhësit, votimin dhe numërimin elektronik. Sipas partive të vogla, Reforma Zgjedhore duhet të realizohet me transparencë dhe jo me pazar mes Rilindjes dhe PD së.
Ato u bënë thirrje drejtuesve të PD-së dhe të LSI-së të mos flasin në asnjë rast në emër të opozitës shqiptare, por vetëm në emër të partive të tyre. “Reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga prezenca e OSBE-së. Kjo reformë duhet të përfundojë deri më 31 mars 2018, me qëllim që zgjedhjet vendore të vitit 2019 të reformohen. Pretendimi i qeverisë që e kushtëzon reformën me listat dhe të
drejtën e votës së diasporës nuk ka bazë.
Vota e diasporës nuk është e domosdoshme për zgjedhjet vendore. Partitë e vjetra politike duhet të heqin dorë nga administrimi i zgjedhjeve. Ato kanë kryer krime të rënda elektorale dhe kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. PD dhe Edi Rama duhet të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite.
Kodi i ri Zgjedhor duhet të garantojë identifikimin biometrik të zgjedhësit, votimin dhe numërimin elektronik. Ky Kod duhet të ndalojë që listat zgjedhore të hartohen nga kryetarët e partive”, thuhet në deklaratën e partive të vogla. /panorama/