
Në lundrimin e përditshëm rutinë në rrjetet sociale, më dilte shumë shpesh përpara një foto. Një zonjë e hijshme, e cila paraqitej në faza të ndryshme të jetës, nga fëmijë, deri në moshë madhore. Në të gjitha fotot, lexoja mesazhe ngushëllimi. Keqardhje për çdo ndarje nga jeta, për të njohur e për të panjohur, ishte ndjesia e parë.
Mes atyre që kishin publikuar foto, kishte mjaft miq të jetës por edhe të rrjeteve sociale, të cilat na afrojnë e lajmërojnë tashmë që distancat fizike kalojnë edhe oqeane. Më shumë nga kurioziteti, fillova të “gërmoj” për të mësuar më shumë për këtë zonjë, aq më tepër kur dukej se ishte shkodrane.
Kam lexuar e mësuar aq shumë, sa sot, pas disa orëve nga lundrimi në internet, më duket se e kam njohur personalisht zonjën shkodrane Marita Vuksani Zimmermann. Madje, më duket sikur kam qenë nxënës i saj në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova”, kam qenë i pranishëm në orët e saj të mësimit dhe kurset për piano, kam duatrokitur në koncertet e saj në Teatrin “Migjeni”. Më krijohet ideja se edhe e kam ndjekur duke kënduar si pionere në festivalet kombëtare të fëmijëve në Shkodër.
Në fakt, zonjën e nderuar nuk e kam njohur personalisht. Ndoshta për shkak të profesionit mund të kem patur kontakte (fatkeqësisht kujtesa nuk më sjell gjë në mendje), por nuk mund të pohoj se e kam takuar e biseduar nga afër. Nuk ka asnjë mundësi që të kem qenë nxënës i saj në Shkollën e Muzikës në Shkodër, jo vetëm se i kujtoj të gjitha ciklet e edukimit, por fatkeqësisht, muzika nuk ka qenë lënda ime më e preferuar. E sigurisht, diferenca në moshë më pamundëson edhe pjesëmarrjen në festivalet e fëmijëve ku Profesoreshë Marita mund të ketë interpretuar në moshë të vogël.
Të gjitha këto ndjesi mu krijuan ndërsa konstatoje mes rreshtave, fotove dhe emoji adhurimin e ish- nxënësve për mësuesen e tyre. Nga të katër anët e botës, ata vazhdonin ti drejtonin urime e mesazhe publike zonjës në raste ditëlindjesh apo edhe 7- 8 marsit. Ish- kolegët e saj, flisnin me respekt maksimal për profesionalizimin dhe përkushtimin e veçantë të Martinës në raport me nxënësit e saj. Emra të njohur të muzikës shkodrane e shqiptare, sot motiv krenarie për të gjithë ne si bashkëqytetarë, shprehnin falenderime për kontributin e Profesoreshës në formimin e tyre artistik.
Nuk e di nëse ka marrë vlerësime zyrtare apo siç i quaj unë rëndom “kartuçe” me logo, firma e vula. Nuk e di nëse ndonjë presidenti të këtij vendi i ka rënë në mend apo ia kanë sugjeruar një vlerësim për këtë zonjë profesioniste e të përkushtuar që nxorri nga vetja gjithçka për t’ ua dhënë nxënësve. Nuk është çudi të mos ketë ndodhur asnjëra por njëkohësisht jam i bindur se Marita jonë ka jetuar si një nga njerëzit më të dashur, respektuar e vlerësuar nga të gjithë ata që e njohën. E ata që nuk e njohën, kanë humbur, kanë humbur shumë.
Pas jo më shumë se 30 minutave, zonja Marita u bë si një person shumë i njohur për mua, keqardhja për ndarjen nga jeta dhe sidomos humbja e mundësisë për ta njohur nga afër një person të tillë, u shtuan. E në fund, edhe një reflektim i pakomanduar nga unë. Historinë e këtij qyteti, Shkodrës por edhe të këtij vendi, Shqipërisë, e kanë bërë dhe e bëjnë ata që ne padrejtësisht i quajmë “njerëz të thjeshtë”. Ata nuk kanë ofiqe, nuk amplifikohen në media, por si bleta punojnë pa u ndjerë e pa u dukur, duke krijuar, ndërtuar e lënë gjurmë tek njerëzit më shumë se ata që na pushtojnë ekranet, mediat e rrjetet sociale. Pa më të voglin dyshim, një nga simbolet e këtyre “njerëzve të thjeshtë” është mësuese Marita Vuksani Zimermmann, nga sot edhe mësuesja ime! Sa me fat ata që e kanë njohur, punuar dhe marrë dije nga mendja e shpirti i saj!
Pushofsh në paqe Profesoreshë! Do të na mungosh, do ti mungosh Shkodrës që aq shumë e deshe dhe që aq shumë i dhé përmes punës, profesionalizmit e përkushtimit! /Nga Blerti DELIJA/




















