30 dhjetorin e nisem për ta mbyllur vitin me një udhëtim të bukur, por rezultoi të ishte ditë e zezë dhe fatale…

Nga Ilir SHYTI*

Së bashku me Ndoc Mulaj, Alfred Lela, Dorien Malaj dhe Gisel Dollani, u nisëm drejt Malit të Munellës me qëllim realizimin një reportazhi për të promovuar vlerat natyrore dhe kulturore të tij. Destinacioni final i udhëtimit tonë ishte maja e Kryqit! Koha ishte në favorin tonë, dielli shkëlqente deri në atë moment ku ngjitja jonë ishte e bukur duke treguar histori me njeri-tjetrin dhe batuta të shumta. Pothuajse 200 m pa arritur në maje, filloi nje stuhi e fortë ere dhe mjegulle e cila na e bëri të pamundur ngjitjen në majë. Vendosëm që të ktheheshim në të njejtin shteg që u ngjitëm, por vështirësia ishtë më e lartë për shkak të stuhisë dhe ngricës.


Në atë moment që filluam zbritjen i pari rrëshqiti Alfredi duke na traumatizuar shumë pasi çdo rënie aty ishte fatale, jam ngritur në këmbë për të parë dhe rrëshqita edhe unë duke u rrokullisur disa herë dhe më pas e gjeta veten në ajër për disa sekonda duke rënë me shpinë në deborën e ngrirë e cila ishte më e fortë se toka. Në momentet kur isha duke rënë, pashë Ndocin duke rrëshqitur dhe rënë drejt greminës në drejtim tjetër ku prezenca e shkëmbinjëve ishte e lartë.

Pas rënies u ngrita një moment në këmbë dhe kuptova që çanta e shpinës më kishte shpëtuar shtyllën kurrizore, pastaj u shtriva sërish në tokë nga dhimbjet e mëdha që vinin nga disa fraktura që kisha në trup.

Gjënë e parë që bëra pasi u rrëzova kam kontaktuar 129 për aksidentin e ndodhur në oren 16:05 ku mezi flisja nga dhimbjet dhe më pas është fikur telefoni nga të ftohtit duke rezistuar aq sa të përcillja lajmin mbi situatën dhe rrezikun ku ndodheshim.

Nga aty ku rashë kam rrëshqitur edhe 300 m të tjera më sforco që të tjerët të kishin mundësi të më gjenin më lehtë pasi isha i pafuqishëm të lëvizja. Pas 1 ore rënkimesh degjoj disa zëra që më thoshin erdhëm, ishte Alfredi, Dorieni dhe Giseli duke më thene që duro se do të vijë helikopteri. I pyes dhe për Ndocin, por më thanë nuk dihet vendodhja e tij.

Qëndrimi prej 5 orë i shtrirë në deborë e veshtirësoi shumë gjëndjen time duke kaluar në hipotermi.

Rreth orës 21, mbaj mënd që të parët që kanë ardhur ishin banorët e fshatit Kimëz dhe pastaj shumë banorë të tjerë të fshatrave përreth Gojan, Kalivarë, Gjegjan. Nga ai moment, unë nuk mbaj mënd më.

Gjatë gjithë transportit tim me barrelë nuk mbaj mënd asgjë, i vetmi moment kur më janë hapur sytë në ambulancë ka qënë diku afër Fushë-Krujës pastaj tek spitali i Traumës në Tiranë. Tani ndihem më mirë dhe jashtë rrezikut për jetën, por më duhet ca kohë për tu rikuperuar dhe filluar një jetë të dytë.

Me këtë rast i falenderoj pa masë të gjithë ata që bënë të mundur shpëtimin tim, banorët, spitalin e Pukës, forcat e Policisë, shërbimin e Zjarrfiksëve, shoqatën e Alpinistëve në Pukë si dhe hallën time Linditën që ka bërë një përpjekje maksimale.

E kam të veshtire të flas për një tragjedi të tillë, sidomos ku në rastin konkret isha prezent dhe mu desh të përjetoja shumë. Ndocin e kisha mik si shumë prej jush që e njohët e u shoqëruat gjatë me të. Ende e kam të vështire ta besoj humbjen e Ndocit sepse kujtimet, bisedat, ngjarjet me të ndër vite më qëndrojnë në mendje.

Lamtumirë Ndoc! U prehsh në paqe! /*Publikuar në Facebook, autori u lënduanë udhëtimin fatal që i mori jetën Ndoc Mulajt/

Open

Close