Elseid Hysaj dhe Napoli po provojnë të ulen përsëri në tavolinë e bisedimeve për rinovimin e marrëveshjes, por për të gjetur një akord nuk do të jetë e thjeshtë.
Mediat italiane bëjnë të ditur se klubi ka si objektiv që të rinovojë marrëveshjen me mbrojtësin deri në vitin 2023, por futbollisti nga ana e tij, kërkon një përmirësim të ndjeshëm të kushteve financiare për të firmosur përsëri.
Eksperti i merkatos në Itali, Nikolo Shira, ka mësuar se kërkesa e futbollisti është thuajse dyfishi i rrogës që përfiton aktualisht, prej 1,4 milionë eurosh në sezon. “Napoli po punon për rinovimin e Elseid Hysajt deri në vitin 2023.
Nga mbrojtësi është kërkuar rritja e rrogës në 2,7 milionë euro neto në sezon, palët janë në bisedime edhe për të eliminuar klauzolën prej 50 milionë eurosh që vlen vetëm për jashtë Italisë”, ka sqaruar ai diskutimet më të fundit mes palëve.
Trajneri Gatuzo duket se ka vendosur që të mbajë Hysajn në rreshtim pasi mund ta përdorë si në të djathtën, ashtu edhe në të majtën e prapavijës dhe ka udhëzuar klubin që të mos e lërë të largohet.
Por nga ana tjetër është kjo çështja e rrogës për të cilën presidenti De Laurentis nuk do të ishte aq i lumtur ta përmirësonte, të paktën me ato shifra që kërkon futbollisti shqiptar.