“19% e familjeve shqiptare blejnë ushqime me listë”, vrojtimi për gjendjen financiare, BSH: 9% me të ardhura 17 mijë lekë në muaj

Edhe pse situata ekonomike sipas të dhënave zyrtare është përmirësuar në 6-mujorin e parë të këtij viti, gjendja financiare e familjeve vijon të jetë e vështirë. Një gjë e tillë dëshmohet nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, e cila në vrojtimin e kryer për gjendjen financiare të familjeve thotë se është rritur numri i familjeve që blejnë mallra me listë, pra pa paguar para.

Në vrojtim morën pjesë 1088 familje, 19% e të cilave kanë pohuar se kanë blerë produkte, për të cilat nuk kanë paguar ende. Nga ana tjetër është rritur edhe numri i familjeve që marrin borxhe tek të afërmit.


“Në rreth 46% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e ‘parasë në dorë’ dhe në 19% të rasteve në formë ‘malli të papaguar’. Të dy këta zëra kanë mbetur pothuaj në të njëjtat nivele me gjashtë muaj më parë dhe shënojnë një rritje respektive prej 1% krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Shkak për këtë rritje të borxheve në këto dy forma nuk është vetëm situata e krijuar vetëm nga pandemia, por edhe rritja e ndjeshme e çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore.

Përballimi i kostove të jetesës bëhet më i vështirë për familjet me të ardhura që arrijnë deri në 17 mijë lekë, që është edhe kategoria më e mbushur në borxhe. Sipas raportit 9% e familjeve të pyetura thonë se kanë të ardhura deri në 17 mijë lekë, ndërsa 45% e familjeve të tjera thonë se të ardhurat e dytë janë midis 17-50 mijë lekësh.

Sa i takon arsyes se përse familjet në vend kanë marrë borxh në 6-mujorin e parë të vitit, 36% e tyre janë përgjigjur “Për konsum”, ndjekur nga arsyeja për blerje apo riparim prone me 26% si dhe për zhvillim biznesi 11% të rasteve.