
Nga Blerti DELIJA
Si sot një vit më parë, në mes të Tiranës hodhi shtat ajo që do të quhej “Çadra e Lirisë”. Ishte ndoshta nisma më radikale e PD dhe opozitës teksa kishin nisur përgtitjet për zgjedhjet e 25 qershorit të atij viti. Jeta e çadrës ishte 3- mujore, për tu mbyllur me marrëveshjen e 18 majit në mes Ramës dhe Bashës.
Sot mbase është koha të reflektohet, të analizohet çfarë solli ajo çadër për opoitën por edhe Shqipërinë.
Marrëveshja Rama- Basha kishte një funksion parësor, të paktën në këndvështrimin e mazhorancës dhe të ndërkombëtarëve: reformën në drejtësi! Si rradhë here në 28 vite, 140 deputetë votuan pro për ndyrshimet kushtetuese dhe kuadrin makro ligjor të reformës.
Natyrisht, edhe opozita duhej të kishte bonueset e saj nga kjo marrëveshje. Kryesimi i KQZ, Avokati i Popullit dhe një numër ministrishë do të drejtoheshin gjatë zgjedhjeve nga opozita në formën e garancisë për zgjedhje të lira e të ndershme.
Nga ana tjetër, Rama dhe Basha ranë dakort që, pavarësisht se kush do të fitonte me 25 qershor, të vazhdonin bashkëpunimin për reformën në drejtësi dhe integrimin në BE.
Realisht, çfarë ndodhi pas 18 majit dhe pas 25 qershorit?

Opozita i humbit zgjedhjet, teksa zgjedhjet i dhanë Edi Ramës “timonin” si parti e vetme në qeverisje të vendit. Opozita i njohu zgjedhjet, por nga 26 qershori e deri më sot, i konsideron të blera me para droge dhe të fituara me elementë kriminal.
Siç edhe e pranuan vetë, ministrat teknikë nuk arritën të kryejnë funksionin që morën përsipër për zgjedhje të lira e të ndershme. Ata qëndruan në poste thuajse deri në formimin e qeverisë së re të PS-së.
Nuk është e vështirë të kuptohet sot por edhe atëherë që Rama përdori opozitën për të realizuar objektivat e veta politike. Ndërsa opozita, për arsye edhe sot jo shumë të qarta, u la të përdorej. Mbase për shkak të presionit të jashtëzakonshëm e publik të ndërkombëtarëve, sidomos për reformën në drejtësi.
Të vijmë tek reforma në drejtësi. Edhe sot, ajo po e ka të vështirë të implementohet. Mazhoranca i hedh fajin opozitës, ndërsa kjo e fundit akuzon Ramën për kapje të institucioneve. Sidomos për rastin e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.
Në fund, mbetet për t’u diskutuar ajo çfarë jund të quhet “pjesa morale” e politikës. E fituar nga 18 shkurti, 18 maji dhe 25 qershori doli mazhoranca dhe Edi Rama. Që në krye të herës, kryeministri e kishte bërë të qartë se për reformën në drejtësi, mund të sakrifikonte çdo gjë. Faktikisht, nuk sakrifikoi asgjë. Në 4 vite në pushtet kishte ndërtuar një supërstrukturë, e cila në asnjë milimetër nuk mund të cënohej nga vënia në krye të disa dikastereve të ministrave apo drejtorëve teknikë.
Ata asnjeherë nuk arritën të japin urdhra që të zbatohen. Janë dhjetra raste të dërguara në prokurori për shkelje në zgjedhje, e ndërsa po afrohet 18 maji tjetër, nuk ka asnjë të dënuar për këto vepra penale. Po ashtu, ndërkombëtarët direkt apo indirekt po shenjestrojnë opozitën për mosavancimin e reformës në drejtësi me ritmin e duhur.
Për ta përmbyllur këtë analizë, integrimin europian i vendit ka përfituar nga datat më sipër. Pak ditë më parë, mazhorancë- opozitë u bënë bashkë për të dalë së bashku me një rezolutë ku në unison i kërkohet BE-së ti japë një datë Shqipërisë për çeljen e negociatave. Nëse mund të quhet bonus, edhe këtë opozita duhet ta ndajë përgjysëm me mazhorancën.
Nga 18 maji, opozita humbi shumë në raport me konseguencën, vendosmërinë për mbështetjen e kauzës. Personalisht, nuk kam dyshime se në 2021, PD, opozita e Basha do të vijnë në pushtet. Siç ndodh rëndom, pushteti nuk merret prej shumë vitesh për meritë të opozitave, por për “trashje zullumi” nga mazhorancat. Përveç se, është vendosur edhe rregulli i pashkruar i 8 viteve në mes palëve.
18 shkurti duhet të jetë një mësim për të mos investuar shumë energji në kauza thelbësore por të prezantuara me imazh jo të përshtatshëm. Mbase ky është mësimi me i vlefshëm për opozitën. Sepse Rama e mazhoranca kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme në formë, në imazh edhe pse fare pak kanë prezantuar nga thelbësorja. E pranon edhe Pandeli Majko…







