14 SHKURTI/ Një nga rrëfenjat për atë që tashmë njihet si “Dita e të dashuruarëve”…

14 shkurti ose Shën Valentini, për çdo vit e më tepër po bëhet një ditë festive për të “dashuruarit” jo vetëm në Europën Perëndimore, nga ku e ka zanafillën kjo festë në shekullin e XV, por nëpërmjet mesazhit “rozë”, që përcjell dhe marketingut që e shoqëron gjithnjë e më shumë, Shën Valentini po festohet në çdo cep të globit, madje fshehtas festohet edhe në vende ekstremiste, me një kulturë hermetike që e ndalojnë me ligj, duke e parë si sakrilegj për besimin e tyre, ose ndikim i moralit perëndimor.

Këtë ditë ka rekorde në blerjen dhe shkëmbimin e dhuratave midis të dashuruarve psh. në përgjithësi femrat, gratë blejnë, ose marrin nga të dashurit ose burrat, 85 % të dhuratave. Në Verona të Italisë në ballkonin e Zhuljetës dërgohen 1000 letra dashurie. Atë ditë bëhen afërsisht 220 mijë propozime për martesë dhe blihen rreth 110 milionë trëndafila të kuq dhe një miliard çokollata shiten dhe dërgohen gjatë tri ditëve para festimit të Shën Valentinit, pra një bum përshëndetjesh dhe dhuratash. Po kush është Shën Valentini dhe çfarë ka bërë ai që të “dashuruarit” në të gjithë planetin e duan kaq shumë, sa dikush i lutet që të bekojë dashurinë e tyre, të tjerë e shikojnë si fatsjellës ose si mbrojtës dhe e kanë si justifikim për frymëzimin erotik, se për Shën Valentin lejohet dhe tolerohet gjithçka në “dashuri”.

Në sinaksarët e Kishës së Lindjes dhe të Perëndimit përmenden shumë shenjtorë me emrin Shën Valentin dhe nuk mund të thuhet me saktësi se kujt shenjtori i përket kjo traditë si mbrojtës i të dashuruarve. Peshkopi Dhimitër i Institutit Orthodhoks të Kërkimeve “NEW. HMP.SHIRE.SHBA’’, shprehet se Shën Valentini ishte një prift në Romën e viteve 270 pas Krishtit. Kohë kur Kisha e krishterë ishte duke pësuar persekutime të mëdha. Krishterimi në atë kohë shikohej si një fe e rrezikshme për Perandorinë Romake, sepse të krishterët adhuronin si Zot Jisu Nazareasin nga Judeja dhe nuk pranonin të adhuronin perandorët romakë, të cilët edhe pse ishin njerëz të vdekshëm, i jepnin vetes se tyre atribute hyjnore dhe kërkonin adhurim si zota. Arsye tjetër e këtij persekutimi ishte morali i lartë i krishterë, që ishte në antitezë dhe akuzë për degjenerimin pagan deri në perversion, të cilët pasionet e ulëta njerëzore i kishin bërë idhuj dhe vendosur nëpër tempuj, në të cilat kryheshin orgji seksuale të “shenjta” me prostitutat “priftëresha” si një akt bashkimi me perëndinë e kënaqësisë trupore (epshit), siç ishte Afrodita, ose të pjellorisë si Artemisa.

Shën Valentini në këtë kohë shërbente si prift dhe detyra e tij ishte të dëshmonte të vërtetën dhe moralin e krishterë dhe të kryente rite fetare, të cilat bëheshin në fshehtësi për të krishterët. Ai kryente dhe misterin e martesës për ushtarët e krishterë që shërbenin në ushtrinë e perandorit Klaudi II, i cili kishte nxjerrë një ligj që e ndalonte martesën e ushtarëve, duke thënë se burrat e martuar nuk ishin ushtarë të mirë, por qëllimi i tij ishte që t’i mbante ushtarët të lidhur mbas vetes dhe luftërave. Shën Valentini priste pjesë nga Shkrimi i Shenjtë në formë zemre dhe ua ndante ushtarëve, duke i kujtuar fjalët e Zotit në lidhje me martesën si e krijuar nga Zoti psh: “Zoti tha: Njeriu nuk është mirë të rrijë vetëm, do t’i bëjë një ndihmës (grua) që i leverdis (Zan.2:18). Për këtë arsye, njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij, do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jetë një mish i vetëm” (Zan. 2:24). Sipas kësaj historie, këtu e ka zanafillën edhe simboli i zemrës, për të dashuruarit. Shën Valentini u arrestua nga autoritetet romake dhe u dënua me vdekje si shkelës i ligjit. Ai para se të ekzekutohej, kishte shëruar nga verbëria vajzën e rojtarit të burgut me emrin Xhulia dhe në mbrëmjen para ekzekutimit, ai i shkroi një letër kartolinë, ku e frymëzonte që ajo të qëndronte në besimin dhe moralin e krishterë, duke dashur Zotin mbi gjithçka. Shprehja “nga Valentini yt” përdorur në atë letër është bërë e njohur edhe sot dhe përdoret në kartolinat që ndahen në këtë ditë. Mbi varrin e shenjtorit, Xhulia mbolli një filiz bajame ngjyrë rozë. Sipas kësaj historie, pemët rozë të bajameve janë bërë simbol të dashurisë dhe miqësisë së vërtetë.

Pavarësisht këtyre të dhënave, autenticiteti i tyre mbetet për t’u diskutuar, sepse siç thamë, ka disa shenjtorë me emrin Shën Valentin, që nderohen si në Kishën Orthodhokse, ashtu edhe në atë Romano-Katolike. Por, performanca e sotme e këtij shenjtori si mbrojtës i dashurisë dhe i martesës vjen nga Komuniteti Anglikan në Britani dhe i ka fillesat në kohën e romanticizmit mesjetar të shekullit XV. Në këtë kohë filluan të shkruheshin poezitë e para, grave dhe të dashurave me shprehjen simbolike, ‘Valentini im’’. Shën Valentini përmendet në veprën: “Hamleti” të Shekspirit në vitin 1600-1601, tek akti 6, skena 5, Ofelia me trishtim thotë: “Nesër është dita e Shën Valentinit, shumë herët në mëngjes, do të vij në dritaren tënde, të më bësh Valentinin tënd”. Nga Britania festa e Shën Valentinit kaloi në Amerikë dhe në vitin 1840, kjo ishte bërë një festë kombëtare. Në Amerikë prodhimi i parë i kartolinave për Shën Valentinin filloi në vitin 1847. Në SHBA u llogarit se 190 milionë kartolina dërgoheshin çdo vit dhe numri i atyre në botë arriti deri në 1 miliard dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri me përhapjen e jashtëzakonshme të internetit u krijuan metoda të reja për dërgimin e mesazheve të dashurisë dhe miqësisë. Miliona njerëz sot përdorin mjete dixhitale si p.sh kartolinat elektronike për Shën Valentin. Kështu, numri i kartolinave me mesazhe dashurie po bëhet gjithnjë e më i madh. /Nga Miron ÇAKO, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit KOASH/

Loading...