Ditën e enjte, datë 11 qershor 2020, u regjistrua në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe rasti i parë pozitiv me virus. Ishte një paciente rreth 48 vjeçare, e cila punonte në një fasoneri në Shkodër. Gruaja është paraqitur me pretendimin se ishte intoksikuar nga ushqimi, ndërsa mjeku që e ka pritur, ka dyshuar dhe ka thirrur menjëherë urgjencën 127 për të kryer marrjen e testit- tampon. Rezultatet kanë dalë pozitive dhe pacientja i është nënshtruar protokollit të zakonshëm për këto raste.
Por ky rast i parë, ka krijuar një gjendje paniku tek Ambulanca Gril-Vrakë, ku ajo është pritur. Mësohet se një mjek dhe dy infermiere kanë patur kontakt direkt me këtë paciente. Po ashtu, në total, aty punojnë 12 persona, 2 mjekë dhe 10 infermierë. Nga data 11 qershor e deri më sot, ambulanca ka funksionuar rregullisht, ku ka patur persona që kanë hyrë e kanë dalë. Gjatë këtyre 5- 6 ditëve, mjekët kanë njoftuar për çdo gjë në Drejtorinë e Sherbimit Shendetësor të Shkodrës, duke kërkuar kryerjen e analizave për personalin prej 12 personash.
Të paktën deri në këto momente, nuk ka patur asnjë veprim, për të marrë testet dhe për të verifikuar nëse në këtë qendër ka të tjerë të infektuar. Veç kësaj, siç thamë, funksionimi i qendrës ka qenë i përditshëm dhe nëse virusi është marrë nga gruaja 48 vjeçare dhe është përhapur tek mjekët e infermierët, rrezikohet një zinxhir i paidentifikueshëm deri tek qytetarët që këto 5- 6 ditë kanë hyrë e kanë dalë. Në mënyrë urgjente duhet që 2 mjekët dhe 10 infermierët të bëjnë testin- tampon për virusin dhe nëse ndonjë rezulton pozitiv, duhet gjetur vijimi i zinxhirit jashtë qendrës për ta këputur atë.
Ditët e fundit po konstatohet në Shkodër por edhe qytete të tjera, se virusi po shfaqet në institucione, ato shendetësore dhe të tjera shtetërore dhe në fasoneri. Parandalimi, është rruga më e mirë për frenimin e përhapjes së pandemisë, e cila duket se është riaktivizuar dukshëm këto ditët e fundit. 28 raste të reja në vetëm 2 ditë, janë shumë për Shkodrën. /ShkodraWeb Media/