
Saga e zgjedhjeve të 11 majit, do të përfundojë të mërkurën në KQZ për 4 qarqe. Pasi Kolegji Zgjedhor certifikoi zgjedhjet në Kukës, Gjirokastër, Korçë e Lezhë, Ilirjan Celibashi pritet të shpërndajë mandatet.
Ndërkohë, Kolegji Zgjedhor rrëzoi këtë të martë ankimimet e PD-së për Shkodrën, Dibrën dhe Beratin duke thënë se në zgjedhje nuk ka pavlefshmëri dhe ato nuk përsëriten. Për Vlorën, trupa e gjyqtarëve do të vendosë më 26 Qershor.
Kështu, Kolegji i hap rrugën ndarjes së mandateve nga Ilirjan Celibashi edhe për këto qarqe duke zyrtarizuar përfundimisht rezultatin e 11 majit.
Më e gjatë rruga e shpërndarjes së mandateve, që është hapi i fundit që KQZ të certifikojë zgjedhjet duket për 4 qarqet e tjera ku me kërkesë të PD është vendosur hapja e kutive të votimit.